Kanë kaluar më shumë se tre muaj nga dita kur janë mbajtur zgjedhjet dhe ende nuk është krijuar qeveria e vendit. Mosarritja e një marrëveshje për koalicion qeverisës në mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës po shihet si papërgjegjësi politike e të dyja partive.

 

Ka dy ditë që këto parti nuk kanë zhvilluar takime për të arritur marrëveshje për bashkëqeverisje, ani pse kishin deklaruar se ka lëvizje pozitive për arritjen e kësaj marrëveshje.

Politologu Ramush Tahiri, thotë se nuk ka marrëveshje mes këtyre dy partive sepse ka interesa të ndryshëm ndërmjet tyre dhe ka ndarje të pushtetit.

Ai thotë se marrëveshja mes këtyre dy partive duhet të arrihet, derisa potencon se të dy partitë politike po veprojnë në mënyrë jokorrekte kur nuk heqin dorë nga kërkesat e tyre dhe duke e konsideruar si humbje nëse heqin dorë nga kërkesat e tyre.

“Nuk ka marrëveshje mes VV-së dhe LDK-së, sepse ka interesa të ndryshme ndërmjet tyre dhe ka ndarje të pushtetit. Unë e shoh që arritja e programit qeveritar ka qenë përparim, harmonizimi mes tyre, por duket që ai është bërë nga një grup tjetër i cili është i aftë për kompromis dhe i cili e dinë se çka donë. Ndërsa, grupi tjetër që po i bënë bisedimet për karrige dhe për ndarje të pushtetit është një grup krejt tjetër dhe ata nuk po munden me i harmonizuar qëndrimet. Interesi i ngushtë partiak dhe oligark që po e pamundëson funksionimin e shtetit dhe ndërtimin e shpejt të qeverisë”, thotë ai.

Vonimi në formimin e institucioneve të vendit, për politologun Ramush Tahiri do të krijojë probleme të shumta, ku përmend zhvillimin ekonomik të vendit.

“Mosbërja e qeverisë pengon, sepse zgjedhjet janë mbajtur për me u bë qeveria dhe për t’i dhënë frymë të re lëvizjeve në Kosovë, por edhe programit zhvillimor, e sidomos programit të integrimeve euroatlantike që Kosova e ka shumë të rëndësishëm forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar. Mirëpo, duket që udhëheqësit e VV-së dhe të LDK-së më të rëndësishëm e kanë a e marrin kryeparlamentarin, a premtojnë një post të presidentit apo marrin një post ministri më shumë, sesa këto çështjet e Kosovës. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me mungesën e përvojës, por kryekëput me mungesë përgjegjësie për çështje shtetërore”, thotë Tahiri.

Në anën tjetër, analisti politik Faton Abdullahu, thotë për KosovaPress, se mosarritja e një marrëveshje për bashkëqeverisje mes LVV-së dhe LDK-së është papërgjegjësi e të dyja partive.

Ai shton se deri tani këto dy parti politike kanë dëshmuar se nuk po munden ta bëjnë qeverinë, për çka ai thotë se duhet një presion më i madh edhe nga presidenti i vendit në drejtim të këtyre dy partive në mënyrë që të ketë krijim të qeverisë sa më shpejt.

“Në çdo gjë, dy forcat politike, LVV dhe LDK e kanë dëshmuar se nuk po munden ta bëjnë qeverinë. Brenga jonë, brenga e qytetarëve të Kosovës për fatin e Kosovës, për atë se si do të kalojmë në dialog me Serbinë, e cila është e pashmangshme dhe na pret menjëherë tek dera posa krijohet qeveria duhet të jetë larg më e madhe sesa keqardhja jonë për këtë mundësi, sesa keqardhja jonë për ato vota që u janë dhënë këtyre dy forcave politike. Prandaj, vështruar nga ky kënd, ne duhet të gjejmë mundësi të reja duke i thënë presidentit që të involvohet më drejtpërdrejtë, ta kryej përgjegjësinë e tij ngase është anashkalim i obligimeve që ka nga ana e presidentit nëse nuk gjen forma që në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës, konkretisht deputetët e ri, me Gjykatën Kushtetuese të kërkojë forma për të bërë trysni më të madhe tek këto dy forca politike që ta përshpejtojë procesin për ta krijuar qeverinë”, th otë ai.

Abdullahu thotë se nëse këto dy parti nuk arrijnë të bëjnë marrëveshje është më mirë të mbahen zgjedhje të reja, sesa të pritet në pafundësi.

Ai thotë se duke qenë se këto dy parti politike nuk i besojnë njëra-tjetrës, e akuzojnë njëra-tjetrën edhe mund të dështojë koalicioni në mes tyre.

“Bazuar në atë se çka mendojnë këto dy forca politike për njëra-tjetrën, bazuar në atë se si këto dy forca politike e akuzojnë njëra-tjetrën në kohën kur duhet t’ia shtrijnë dorën njëra-tjetrës, kur duhet të jenë fleksibile, kur duhet të jenë me përgjegjësi të lartë nacionale dhe jo vetëm. Bazuar në të gjitha këto, atëherë mund të thuhet se ka shumë vend për të dyshuar, mbase për të konstatuar se ky koalicion nuk do të funksionojë. Në të vërtetë ky koalicion edhe mund të bëhet, për arsye nga më të ndryshmet, e sidomos për faktin se do të merren vesh për karriget të cilat do t’i marrin, por e keqja është se këto dy forca politike na kanë lënë një shije të hidhur politike, me çka na kanë bindur se në një të ardhme të afërt, sidomos në raport me Serbinë nuk do t’iu shkojë përdore të jenë unike dhe kjo është brenga më e madhe për qytetarin dhe për fatin e Kosovës”, thotë ai.

Mosformimi i institucioneve, sipas tij, po shkakton probleme të shumta, ku përmend dialogun me shtetin serb dhe procesin e liberalizimit të vizave.

“Merremi me arsyetime të cilat na servohen nga këto dy forca politike plotësisht të paqëndrueshme, që na japin të drejtë t’iu themi se vetëdija juaj shtet ndërtuese, morali politik i juaj për fatin e Kosovës po degradohet çdo ditë. Ka shumë procese, më i rëndësishmi është dialogu, është Gjykata Speciale, është marrja e kryesisë nga Kroacia, shtet mik i cili mund të na ndihmojë shumë në proceset tona edhe sa i përket liberalizimit të vizave. Por, as Kroacia, as Brukseli nuk mund të na ndihmojnë neve përderisa ne shohim tek njeri-tjetri rivalin, i cili do të na marrë pushtetit më shumë”, thotë ai.

Kujtojmë se ditë më parë, presidenti i vendit, Hashim Thaçi i ka dërguar një letër kreut të LVV-së, Albin Kurti me kërkesën për të propozuar emrin për mandatar për formimin e qeverisë, gjë e cila nuk është dërguar ende nga LVV. /RTKlive.com