Presidenti Hashim Thaçi, është treguar i kujdesshëm gjatë bisedave me Adem Grabovcin. Ai flet kryesisht me kode që i njohin vetëm ata. Megjithatë, Thaçi flet edhe për emra konkret të caktimit të njerëzve në institucione. Koordinon veprimet për t’i detyruar deputetët për të votuar për ligje. Shprehet i gatshëm të punojë sipas kërkesave të ndërkombëtarëve, teksa deklarohet se “do të luaj k… me amerikanët”. Insajderi sjell gjashtë biseda të presidentit Thaçi me Adem Grabovcin. Gjashtë tjera do të transmetohen në pjesën e dytë të hulumtimit.

Presidenti Hashim Thaçi është përgjuar duke komunikuar me shefin e grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovcin.

Komunikimi mes tyre është i rregullt dhe i vazhdueshëm. Ata konsultohen për gjithçka, madje edhe për caktime të njerëzve të tyre nëpër pozita të larta shtetërore.

Kur është puna për veprime të tilla, Thaçi, që aso kohe ishte kryeministër i vendit dhe lider i partisë më të madhe në pushtet, flet me kode.

Bashkëbiseduesit koordinohen që dy ligje të rëndësishme që i jepnin fund mbikëqyrjes ndërkombëtare të Kosovës, të kalojnë në Kuvend me çdo kusht. Ligji për Qendrën Historike të Prizrenit dhe ai për Hoqën e Madhe, herën e parë nuk ishin votuar. Thaçi mobilizohet që ligjet të rikthehen në Kuvend dhe duke u bërë presion, të votohen ato.

Presioni dhe kërcënimet e deputetëve konfirmohen nga bisedat tjera të Grabovcit me kolegun Shaip Muja, si dhe me Naser Krasniqin, i njohur si “Ftyra”.

Grabovci bisedon me “Ftyrën” i cili ishte në paraburgim, i akuzuar për Rastin Kleçka. Atij i tregon se e ka kërcënuar ish-kryetarin e Kuvendit Jakup Krasniqi, se nëse “nxjerr problem, me të merret ‘Ftyra’”.

Lexo edhe këtë: Publikohen përgjimet „Dosja e shefave III“, tani flitet me emra, ja si i shajnë njerëzit

“Ftyra” ishte i akuzuar për krime lufte. Ndër veprimet e tij inkriminuese ishin edhe prerja e dy serbëve me kosë.

Gjatë bisedave të presidentit të vendit, Hashim Thaçi me Adem Grabovcin, Jakup Krasniqit i referohen si “sheqer”, “sheqerash” e i “sëmurë prej sheqeri”. Këtë e bëjnë me përbuzje duke ia përmendur vazhdimisht këtë problem shëndetësor.

Insajderi ka pritur për më shumë se një javë përgjigje nga Presidenca duke ju ofruar paraprakisht edhe bisedat për t’i dëgjuar, por zyra e Thaçit nuk ka pranuar të deklarohet.

Në pjesën e parë të përgjimeve të Thaçit me Grabovcin, Insajderi sjell të përmbledhur gjashtë biseda të tyre. /Botasot.info