DASh në raportin vjetor mbi sulmet terroriste tregon një rritje si për numrin e sulmeve në mbarë botën ashtu dhe efektivitetin e grupeve terroriste që shkaktojnë viktima në masë

 Në raport të cilin sot e prezantoi Ambasadorja Tina Kaidanow koordinatore për antiterrorizmin në Departmentin e Shtetit, numri i sulmeve terroriste në 2014 u rritë për 35 për qind, ndërsa numri i përgjithshëm i viktimave për 81 përqind.
Prej 13.463 sulmeve që janë cilësuar si terroriste më shumë se 32.700 njerëz janë vrarë në mbarë botën.

Në raportet për vendet veç e veç, për Kosovën thuhet se ka pasur një rritje ‘të ekstremizmit të dhunshëm islamik që ka ardhur duke u shtuar gradualisht,’ ekstremizëm ky që thuhet se është ‘i ndihmuar pjesërisht edhe nga financimi i organizatave të huaja, që predikojnë ideologji ekstreme,’ edhe në Kosovë. Raporti jepë numrin prej 150 deri në 200 të të shkuarve në Siri dhe Irak si luftëtarë të huaj terroristë nga Kosova, të cilët ishin rreshtuar përkrah radhëve të Shtetit Islamik dhe Frontit al-Nusrah, 20 prej të cilëve deri tash janë vrarë.

Raporti më tej bënë fjalë për miratimin e ligjeve përkatëse në Kosovë që e cilësojnë si krim pjesëmarrjen ose mbështetjen e grupeve ushtarake që veprojnë jashtë Kosovës si dhe jepen të dhëna edhe për masat dhe arrestimet që kanë kryer autoritetet ligjore rreth luftës kundër këtij ekstremizmi si dhe për ndihmën që u kanë dhënë SHBA për disa raste.

Ndonëse raporti thekson se në Kosovë nuk kanë ndodhur deri tani incidente terroriste, më tej thuhet se grupet e dhunshme ekstremiste përdorin aktivisht rrjetet sociale për të përhapur propagandën e tyre dhe për të rekrutuar njerëz. / RTKLive.com