Profesorët e Universitetit të Prizrenit u arrestuan sepse merreshin me fajde

Policia e Prizrenit ka arrestuar tre persona të dyshuar për marrje me fajde, dy prej të cilëve profesorë të Universitetit të Publik “Ukshin Hoti” në Prizren.

Në një njoftim për media nga Prokuroria e Shtetit, bëhet e ditur se Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, ka lëshuar aktvendime për ndalim kundër B.Z, dhe B.A., që të dy profesorë të Universitetit Publik “Ukshin Hoti” në Prizren, si dhe kundër E.S nga Prizreni, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale të fajdes, transmeton lajmi.net.

“Prokuroria ka lëshuar aktvendimin për ndalim kundër B.Z., profesor në Universitetin Publik „Ukshin Hoti“ – Prizren, pasi që dyshohet se i njëjti ka kryer veprën penale keqpërdorimi i detyrës zyrtare nga neni 422 të KPRK-së. Ky ndalim ka rezultuar pas zhvillimit të hetimeve në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, njësiti i Krimeve Ekonomike në Prizren”.

“Aktvendimin për ndalim kundër B.A., profesor i Universitetit publik “Ukshin Hoti”, në Prizren prokuroria e ka lëshuar për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën penale të fajdes nga neni 343 të KPRK-së”.

“Ndërkaq aktvendimin për ndalim kundër E.S, prokuroria e ka lëshuar për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale të fajdes nga neni 343 të KP-së”, thuhet në njoftimin për media të Prokurorisë së Shtetit. / Reporteri.net

Lexo me shume nga kjo kategori…