Opozita: S’marrim pjesë në seancën solemne të Kuvendit s’e populli s’ka bukë

Partitë opozitare, Vetëvendosje, AAK dhe NISMA, nuk do të marrin pjesë sot në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, organizuar me rastin e Ditës së Çlirimit të Kosovës, dhe këtë thonë se po e bëjnë shkaku i asaj se vendi nuk i ka punët mirë dhe nuk ka vend për festë.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, përfaqësues të tri partive politike opozitare në Kuvendin e Kosovës, kanë bërë të ditura arsyet e mos pjesëmarrjes në këtë seancë.

Glauk Konjufca, shef i Grupit Parlamentar të VV-së, ka thënë se një ndër arsyet e mos pjesëmarrjes në këtë seancë, është e refuzimi i kërkesës që të gjitha grupet parlamentare të mbajnë fjalime, raporton lajmi.net.

“Sot është paraparë të mbahet një seancë solemne për çlirimin e Kosovës. Ne kemi kërkuar nga kryetari i Kuvendit që të gjitha grupet parlamentare të mbajnë fjalë rasti. Kjo nuk është pranuar. Është paraparë që vetëm kryetari Kadri Veselit ë mbajë fjalim, më shumë në cilësinë e nënkryetarit të PDK-së, sesa në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit. Kohëve të fundit seancat e tilla janë shpeshtuar me iniciativë të kryetarit Veseli, për të dhënë përshtypjen se në

Kosovë po lulëzon gjithçka. Kjo është arsyeja pse ne nuk po marrim pjesë në këtë seancë”, ka thënë Konjufca.

Ndërsa, deputetja Donika Kada – Bujupi, nga AAK, ka thënë se heronjtë kanë vlerë për politikën vetëm një ditë, “kurse shumë bashkëluftëtar të tyre që sot janë gjallë po përballen me kushte të rënda ekonomike, duke mos pasur as bukë për të ngrënë”.

“Kërkojmë nga pushteti që festat të organizohen kur ka arsye për t’u gëzuar”.

“E as studentët të cilët diplomojnë nuk kanë ku të punësohen, pa pasur lidhje politike, nuk kanë arsye që sot ti gëzohen kësaj dite”, ka thënë ndër të tjera, Kadaj – Bujupi.

E Valdete Bajrami, nga partia NISMA, ka thënë se organizimet të cilat i pamë edhe në rastin e rivarrimit të Isa Boletinit tregojnë se ato nuk po mbahen në mënyrën siç e meritojnë këta heronj.

“Ky koncert i organizuar sot në Kuvend bëhet për treguar se kinse në Kosovë po funksion gjithçka e ku sektorët kryesorë të shtetit nuk funksionojnë”, ka thënë ajo. (lajmi.net)

Lexo me shume nga kjo kategori…