Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli nuk ka arritur që t’i bindë shefat e grupeve parlamentare për të mbajtur një seancë tjetër në Kuvend për Gjykatën Speciale.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, nuk ka arritur ndonjë konsensus politik sa i përket krijimit të Gjykatës Speciale. Ai, sot mblodhi shefat e grupeve parlamentare me qëllim përafrimi të qëndrimeve rreth riprocedimit të amendamenteve Kushtetuese mirëpo, nuk pati sukses.
Pajtueshmëri mes pozitës dhe opozitës nuk po gjendet as për dhomat e specializuara. Këtë e pranoi sot edhe kreu i Kuvendit Kadri Veseli, i cili thekson se në të ardhmen duhet të gjendet një rrugë për krijimin e kësaj gjykate.
Kreu i Kuvendit Kadri Veseli, shoti tutje se moskrijimi i kësaj Gjykate mund të vejë në pikëpyetje bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë.
Opozita po vazhdon të refuzoj riprocedimin e amendamenteve Kushtetuese duke e parë si zgjidhje që Gjykata të krijohet brenda territorit të Kosovës.
Një zgjedhje të tillë e shohin edhe zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Donika Kadaj – Bujupi nga kjo parti thotë se krijimi i një gjykate brenda territorit të Kosovës do t’i trajtonte edhe pretendimet e supozuara të Dick Marty-t.
Por, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli nuk është i sigurt nëse opsioni i opozitës mund të merret në konsideratë.
Ai, njoftoi se Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë të enjten, por nuk do të jenë ne rend dite amendamentet ligjore për Specialen, por do të jetë vazhdimësi e seancës së te enjtes së kaluar