Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar riprocedimin për në Kuvend të amendamentit 24, që dërgon në ndryshimet e nevojshme kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale.

Kurse opozita është përgjigjur se një gjë e tillë nuk është e mundur pa ndryshuar formati i kësaj gjykate.

Njohësit e rrethanave politike në vend i kanë ftuar të dyja palët të gjejnë një kompromis për këtë çështje, në mënyrë që Kosova ta përmbushë obligimin ndërkombëtar për themelimin e kësaj gjykate, shkruan Epoka e Re.

Analistët thonë se janë befasuar me mosvotimin e ndryshimeve kushtetuese të premten në Kuvendin e Kosovës, duke shtuar se mosvotimi i kësaj gjykate mund ta izolojë Kosovën.

Analisti politik Behxhet Shala ka deklaruar për Epokën e re se themelimi i Gjykatës Speciale është përgjegjësi e pozitës dhe opozitës, duke shtuar se drejtësisë askush nuk mund t’i ikë.

“Mendoj se është dashur të jetë një konsensus paraprak, para votimit, midis pozitës dhe opozitës, e jo tash, pasi ka dështuar, pozita t’i dërgojë ftesë opozitës, duke deklaruar se kjo çështje është e përgjithshme dhe duhet të merren vesh”. /epoka e re/