Mustafa: Momenti i duhur për zhvillim të hovshëm ekonomik

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti sot në takim delegacionin e Grupit Parlamentar të Miqësisë për marrëdhëniet me shtetet e Evropës Juglindore në Bundestagun Gjerman.

Gjatë takimit, kryeministri Mustafa i njoftoi parlamentarët gjermanë për progresin e Kosovës në shumë fusha, për prioritetet e Qeverisë për zhvillim ekonomik, hapje të vende të punës dhe fuqizim të shtetit ligjor.

“Tani është momenti i duhur për zhvillim të hovshëm dhe të qëndrueshëm ekonomik. Andaj, Qeveria e Kosovës është e fokusuar tërësisht në reformimin e mëtejshëm të ambientit ekonomik si dhe ofrimin e përkrahjes së plotë për bizneset që të shfrytëzojnë MSA-në për shtrirjen e veprimtarisë dhe depërtimin e prodhimeve të tyre në tregun evropian”, tha kryeministri.

Kryeministri Isa Mustafa ka veçuar rëndësinë e liberalizimit të vizave për Kosovën nga BE-ja, duke kërkuar përkrahjen e Bundestagut dhe të Gjermanisë në këtë çështje shumë të rëndësishme për lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Liberalizimi i vizave do të mundësojë efekte dhe rezultate më të mëdha nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, pasi që do lehtësojë qarkullimin e ndërmarrësve kosovarë në vendet e BE-së”, tha kryeministri Mustafa.

Gjatë takimit, kryeministri Isa Mustafa i ka njoftuar parlamentarët gjermanë edhe për proceset dhe zhvillimet tjera politike në Kosovë dhe më gjerë.

Anëtarët e delegacionit të Bundestagut Gjerman, Peter Weiss (CDU/CSU), Andreas G. Lammel (CDU/CSU) si dhe Josip Juratovic (SPD), vlerësuan progresin që po arrihet në Kosovë në shumë fusha, duke theksuar përkrahjen e tyre për Kosovën në proceset eurointegruese dhe liberalizimin e vizave.

Ata u interesuan për zhvillimet në Kosovë, për prioritetet e Qeverisë në zhvillimin ekonomik, për situatën politike, për çështjet që lidhen me marrëdhëniet me shtetet në rajon e më gjerë.

Edhe parlamentarët gjermanë vlerësuan se tani është koha e duhur për fuqizimin e zhvillimit ekonomik dhe social në Kosovë.

Lexo me shume nga kjo kategori…