Maqedoni: Liderët mblidhen sërish, pak gjasa për marrëveshje

Liderët e katër partive më të mëdha politike të Maqedonisë, Nikolla Gruevski (VMRO-DPMNE), Zoran Zaev (LSDM), Ali Ahmeti (BDI) dhe Menduh Thaçi (PDSH), do të takohen sot sërish në Shkup.

Por gjasat që të arrijnë marrëveshje janë pothuajse zero.

Kjo për arsye se të dy palët mbeten në pozicionet e veta – opozita kërkon që Gruevski të tërhiqet nga funksioni i kryeministrit më së voni gjashtë muaj par zgjedhjeve të parakohshme, kurse pushteti insiston që ai të mbetet në krye të Qeverisë kalimtare.

Një sinjal plus se marrëveshje s’do të ketë është fakti se në takimin e sotëm nuk do të marrë pjesë eurokomisari Johannes Hahn, ngase porosia nga Brukseli ka qenë se ai do të vijë në Shkup vetëm nëse ka gjasa për marrëveshje.

Megjithatë, ambasadori amerikan Jess Bailey dhe ai i Bashkimit Evropian Aivo Orav do të jenë të pranishëm në takim, në rolin e vëzhguesve të procesit.

Takimi i sotëm u paralajmërua si tentim i fundit që DVMRO-DPMNE dhe LSDM të arrijnë marrëveshje për të filluar procesin negociator për gjetjen e zgjidhjes për krizën politike, kurse nëse kjo nuk ndodh opozita dhe sektori civil paralajmëruan marrjen e masave më radikale.

Kryeministri Gruevski në fjalimin e tij të djeshëm para Unionit të të rinjve të partisë e akuzoi LSDM-në se po punon në drejtim që negociatat të dështojnë. Në anën tjetër, LSDM këmbëngul se zgjedhje të lira, fer dhe demokratike nuk mund të ketë nëse vendin vazhdon ta drejtojë një qeveri me Gruevskin në krye. / RTKLive.com

Lexo me shume nga kjo kategori…