Megjithëse Kuvendi i Kosovës nuk i ka miratuar amendamentet kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale, Qeveria e vendit do t’i riprocedojë në Kuvend për votim këto amendamente në mënyrë që institucionet e vendit ta themelojnë Gjykatën Speciale dhe ta evitojnë dërgimin e kësaj çështjeje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Kjo është bërë e ditur edhe nga drejtuesit e Qeverisë, kryeministri, Isa Mustafa, dhe nga zëvendësi i tij, Hashim Thaçi, të cilët kanë thënë se në ditët në vijim ekzekutivi i vendit do të bashkërendojë aktivitetet me Kuvendin dhe me grupet parlamentare në Kuvend, në mënyrë që të miratohen këto amendamente dhe kështu t’i hapet rrugë krijimit të Speciales, pasi ata kanë vlerësuar se themelimi i saj është jetike për shtetin e Kosovës.
Gazeta “Zëri” ka mësuar se ky opsion mbështetet edhe nga partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, të cilët nuk dëshirojnë që kjo çështje të shkojë në Këshillin e Sigurimit. Në anën tjetër partitë opozitare kanë thënë se riprocedimi i këtyre amendamenteve në Kuvend është e papranueshme dhe se, sipas tyre, Kuvendi i Kosovës përmes mosmiratimit të tyre ka mbrojtur sovranitetin e shtetit. / Reporteri