Deputetët po shantazhohen me Rusinë

Paralajmërimin e Qeverisë së Kosovës për riprocedimin e ndryshimeve kushtetuese në Kuvend ndaj Gjykatës Speciale, Lëvizja “Vetëvendosje” i ka quajtur si fundi i demokracisë.

Shefi i Grupit Parlamentar të “Vetëvendosjes”, Glauk Konjufca, të shtunën në një konferencë për medie ka deklaruar se ndryshimi i riprocedimit të ndryshimeve kushtetuese është një shkelje e demokracisë në vend. Ai këtë e ka vlerësuar si kushtëzim i votimit të Speciales. Konjufca gjithashtu theksoi se deputetëve u është bërë shantazh edhe me Rusinë për t’u votuar Specialja.

“Rusia është shtet diktatorial në Evropë. Në këtë shtet vritet shprehja e lirë. Pra, ky shtet nuk ka kredibilitet t’i gjykojë ushtarët tanë”, ka thënë ai.

 Konjufca për medie tha se do të pranojnë bisedime për riprocedim vetëm nëse ndryshohet kushtet e themelimit të kësaj Gjykate, që njëra nga to është të mos preket sovraniteti i Kosovës.

Mosvotimi i amendamenteve të rrugës së krijimit të Gjykatës Speciale, Konjufca e ka përshëndetur duke thënë se kjo Gjykatë nuk mbron aspak në vlerat e mirëfillta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Vendimi i djeshëm është i drejtë dhe lajm i mirë për Kosovën, kjo pasi që në Ligjin e Gjykatës Speciale thuhet se Republika e Kosovës nuk e gëzon të drejtën të ketë qasje në dokumentet e arkivit të kësaj Gjykate. Asnjë qytetar dhe institucion i Kosovës nuk do të ketë qasje në to, por do të kumtohen vetëm rezultatet e jo procedurat”, ka deklaruar Konjufca.

Ndër të tjera Konjufca është shprehur i gatshëm që të bisedojnë me pozitën për miratimin e Speciales vetëm nëse do të ketë alternativë të re në krijimin e saj.

Sipas tij, etniciteti dhe sovraniteti duhen të rishqyrtohen mirë para se të formohet kjo Gjykatë. Konjufca ka thënë se është e papranueshme që Specialja bëhet vetëm për shqiptarët dhe preket sovraniteti i vendit.

“Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë vetëm për një alternativë të re të Gjykatës Speciale, e cila nuk i ka dy karakteristika: nuk është gjykatë vetëm për shqiptarët e para dhe e dyta të mos e shkel sovranitetin e Kosovës për të ndryshuar procesin tonë gjyqësor. Të jetë brenda sistemit tonë gjyqësor dhe të mos jetë gjykatë etnike. Për këtë jemi të gatshëm të diskutojmë tërë ditën”, tha Konjufca.

Ndryshe, Konjufca ka akuzuar edhe kryeministrin, Isa Mustafa, dhe zëvendëskryeministrin, Hashim Thaçi, të cilët, sipas tij, po bëjnë thirrje hakmarrëse ndaj atyre që kanë votuar kundër.

“Thaçi dhe Mustafa po i ngjajnë njëri-jetrit gjithnjë e më shumë, janë bërë pothuajse si ata binjakët siamezë. Njëri i kërcënon deputetët e partisë së vet që nuk e votuan si kryeministër atë, kurse tjetri i kërcënon deputetët e partisë së vet pse nuk e votuan projektin e tij të Gjykatës Speciale”, tha ai.

Ndryshe, amendamentet për krijimin e Gjykatës Speciale të premten nuk kaluan në miratim.

Për miratimin e këtyre amendamenteve ishin të nevojshme 80 vota të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, mirëpo ato morën përkrahjen e vetëm 75 deputetëve, meqë 7 deputetë të PDK-së votuan kundër e 2 të tjerë abstenuan, kurse deputetët e opozitës e bojkotuan votimin. (Zeri)

Lexo me shume nga kjo kategori…