“Por, reformat nuk duhet të ndodhin vetëm kur ndodhë ndonjë sherr apo konflikt, por ato duhet të ndodhin në vazhdimësi. Sidomos në kohët e sotme moderne kur po përballemi me zhvillime të hovshme shkencore, kulturore, politike, fetare, informative, teknologjike e tjera”, thuhet në përgjigjen e BIK-ut.
Por profesori i Studimeve Islame në Universitetin e Prishtinës dhe njëherësh kryetar i Sindikatës në BIK, imami Idriz Bilalli, thotë se përgjegjësi kryesor për këtë gjendje është myftiu Naim Tërnava, që nuk mori masa ndaj imamëve kontroversë.
“Ne si Sindikatë e Punëtorëve të Bashkësisë Islame, shqetësimin tonë për dukuri jo të mirë e kemi ngritur qysh herët – para katër pesë viteve – përmes Sindikatës i kemi bërë publike qëndrimet tona. Mirëpo, kjo është çështje e institucioneve të rendit dhe të sigurisë publike të vendit që kanë paraparë të ndërmarrin një hap të tillë”, ka thënë ai.
Edhe deputetja e LDK-së, Alma Lama thotë se, BIK-u ka toleruar imamë radikalë nëpër xhami, që nxisin urrejtje fetare, gjinore dhe kombëtare. Ndërsa sipas saj u takon besimtarëve të vlerësojnë nëse BIK-u po i përfaqëson interesat e tyre dhe a po e justifikojnë ekzistencën e tyre.
Ndërsa deputeti i Partisë së Drejtësisë, Gëzim Kelmendi, thotë se në Kosovë nuk kemi ende ligjin për bashkësi fetare, por sa i përket ekstremizmit, Kosova ka policinë, dhe Agjencinë për Inteligjencë, të cilat janë të gatshme të ballafaqohen me çdo rrezik potencial që i kanoset Kosovës.