Ministri Hashim Thaçi ka theksuar se nuk guxojnë të dështojnë edhe një herë në këtë proces.

​Zëvendëskryeministri dhe ministër i Punëve të Jashtëm Hashim Thaçi ka theksuar se Qeveria nuk do t’i procedojë ndryshimet kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale në Kuvendin e Kosovës pa u siguruar se i ka votat e mjaftueshme, sepse nuk guxojnë të dështojnë edhe një herë në këtë proces.

“Ne jemi duke punuar që një votim i tillë pozitiv të ndodhë sa më shpejt që është e mundur. Sa më tepër që shtyhet, gjërat mund të ndërlikohen. Por jemi në koordinim si spektër politik, në të njëjtën kohë edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë që votimi i ardhshëm të bëhet në momentin kur të jemi të sigurt që janë votat e mjaftueshme, sepse nuk guxojmë të gabojmë dhe të dështojmë”, ka thënë Thaçi

Thaçi këto komente i bëri pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë Nikolaos Kotzias, me të cilin kanë folur për bashkëpunimin e dy vendeve. / RTKLive