Ishte premtimi kryesorë që patën në fushatën parazgjedhore edhe Hashim Thaçi por edhe Isa Mustafa. Thaçi madje tha se me krijimin e një “Fondi për Punësim” do të investohen rreth 500 milion euro në Bujqësi dhe të krijohen mbi 50 mijë vende të reja pune.

Ky bum ekonomik u përmend gjatë gjithë fushatës parazgjedhore, e deri më tani ky fond ka mbetur vetëm premtim.

Si PDK e po ashtu edhe LDK që tani kanë pushtetin nuk kanë bërë ndonjë lëvizje rreth këtij “Fondi të Punësimit”.

Ky fond mendohej të arrihej përmes fondeve të privatizimit, por krejt kjo nuk po realizohet pa u formuar bordi i Agjencionit Kosovar të Privatizimit (AKP).

Me formimin e bordit një pjesë e këtyre mjeteve mund të përdoren për zhvillimin ekonomik të vendit por jo të gjitha në tërësi që përllogaritet të jenë mbi 500 milion euro.

Pengesa kryesore për ti përdorë një pjesë të madhe të mjeteve nga shitja është procesi i papërfunduar i likuidimit të ndërmarrjeve.

Ndryshe dy partitë në pushte gjatë fushatës parazgjedhore kishin premtuar krijimin e vendeve të reja të punës dhe zhvillim ekonomik duke u bazuar në kthimin e mjeteve të lartpërmendura.

Ndërsa mjetet e trustit pensional aktualisht përmes letrave me vlerë financohet buxheti i shtetit. Ministri i Financave Avdullah Hoti ka thënë se mjetet e trustit janë kursime të qytetarëve dhe si të tilla përmes letrave me vlerë shfrytëzohen në ekonomin e vendit.

“Nuk janë para publike, nuk janë para të shtetit të Kosovës, të qeverisë së Kosovës, janë mjetet që ne qytetarët i detyrojmë të kursejnë nga të ardhurat e tyre…Trusti pensional është akteri kryesor i tregut me letra me vlerë. Ne brenda vitit i grisim i marrim praj tregut financiar në Kosovë rreth 100 milion euro në letra me vlerë me të cilat e financojmë buxhetin. Një pjesë e madhe e këtyre letrave me vlerë i blen trusti pensional në njëfarë mënyre ne po i fusim ato mjete në ekonomi. Normalisht ka hapësirë ende të rritet pjesëmarrja e trustit pensional në tregun financiar duke blerë më shumë letra me vlerë”, ka thënë Hoti.

Ndërsa mjetet e privatizimit sipas Hotit, janë mjete publike por që pa u konsoliduar bordi nuk mund të shfrytëzohen.

“Mjetet e AKP-së të privatizimit ato janë para publike në momentin që kryhen kërkesat e punëtorëve potencial ato mjete vijnë në buxhetin e shtetit dhe përdoren për projekte zhvillimore. Ne i kemi bërë të qartë edhe në program qeverisës se do të krijojmë një fond zhvillimor edhe me mjete të qeverisë edhe të privatizimit për të financuar projekte kapitale… Unë po besoj që shpejt themelohet bordi konstituohet bordi i AKP-së dhe një pjesë e mjeteve mund të shpenzohet menjëherë mund të vijnë menjëherë në buxhetin e Kosovës për të përmbush bilancin bankar”, ka thënë Hoti.

Sipas tij, vendimet e para të bordit mund të jenë për të kthyer ato mjete në qeveri janë mjete prej ndërmarrjeve që janë privatizuar për të cilat janë kryer të gjitha procedurat sa i përket përmbushjes së kërkesave të kreditorëve të agjencionit.

Visar Hapçiu, nga Oda Ekonomike Amerikane, ka thënë se duhet të ketë projekte në mënyrë që ato mjete të shfrytëzohen.

“Na i shohim si mundësi të mirë këtë propozimin që është dhënë kryesisht gjatë fushatës politike që jepte një numër i madh i partive, megjithatë duhet me pas kujdes se si duhet të menaxhohet një fond i mundshëm . Qysh dihet fondet e trustit janë fonde të kursimeve pensionale të individëve dhe duhet të jetë mënyrë shumë e kujdesshme se si duhet të përdoreshin ato…Për fondet e privatizimit që do të ishte një mundësi e mirë që të ktheheshin në vend dhe të përdoreshin për projekte, mirëpo jo për projekte afat shkurta që nuk do të kishin ndonjë efekt multiplikativ , por për projekte që do të mundësonin një rritje dhe mandej ato që do të kishin efekte më të mëdha se sa edhe vetë investimi i atyre fondeve”, ka thënë ai.

Po ashtu edhe Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, (AKB), ka thënë se nuk është bërë asgjë deri më tani për ti kthyer këto para.

“Nga premtimet që i përkasin të kaluarës nga partitë politike se këto mjete do të kthehen në tregun tonë të Kosovës dhe me këto mjete do të gjenerohen vendet e punës, kjo i përket vetëm së kaluarës. Për arsye se ende nuk ka ligj, ende nuk është iniciuar asnjë ligj për ti kthyer këto para në investime çoftë me iniciativa private apo ato publike. Prandaj sa më shpejtë të krijohet infrastruktura ligjore, sa më shpejtë të vijnë këto mjete në tregun e Kosovës”, ka thënë Shahini.

E për vlerën e mjeteve të privatizimit dhe trustit nuk ka folur asnjëri prej zyrtarëve të Bankës Qendrore, as ata nga Agjencia Kosovare e Privatizimit e po ashtu përgjigje nuk kanë dhënë as zyrtarët e Trustit Pensional. (KosovaPress)