Tre liderët opozitarë, bashkë me deputet dhe aktivistë janë mbledhur para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës për të paralajmëruar protestën e nesërme, që thanë se do të mbahet në të njëjtin vend.

Sipas tyre, protesta fillon në ora 14:00, te Biblioteka Kombëtare për të vazhduar nëpër sheshet deri te Qeveria.

Ata thanë se do të jetë një protestë paqësore, përmes së cilës do të kërkohet anulimi i dy marrëveshjeve dhe llogaridhënie nga Qeveria për marrëveshjet.

Ata thanë se kjo qeveri duhet të dorëhiqet sepse vendin nuk mund ta drejtojë dikush që shkel Kushtetutën.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të bashkohen në protestën e nesërme. “I ftoj të gjithë qytetarët që në ora 14:00 të vijnë tek Biblioteka Kombëtare, e të marshojmë bashkë deri në sheshin Skenderbeu. Të protestojmë për anulimin e marrëveshjeve të dëmshme dhe të kërkojmë llogaridhënie nga ata që e shkelën Kushtetutën”, tha Haradinaj.

Visar Ymeri, Kryetar i VETËVENDOSJE!-s, tha se nesër është një ditë jashtëzakonisht e rëndësishme për Republikën e Kosovës. “9 janari është dita e protestës gjithëpopullore, dita e protestës së qytetarëve kundër marrëveshjeve të dëmshme dhe të rrezikshme që i ka nënshkruar Qeveria e Kosovës, dhe kundër këtyre shkelësve të Kushtetutës. Nesër, qytetarët do të bëhen bashkë për ta kërkuar sovranitetin e vendit. Republika e Kosovës nuk mund të udhëhiqet nga njerëz që me vendimet e veta tentuan ta përmbysin rendin kushtetues të vendit”, theksoi Ymeri.

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, tha se nesër në shesh do të protestojmë masivisht, për të mos lejuar që shkelësit e Kushtetutës të vazhdojnë të qeverisin me vendin. “Është momenti kur zëri qytetar duhet të jetë i bashkuar dhe i fuqishëm, ashtu që të mos lejojë një precedent të keq në Kosovë që shkelësit e Kushtetutës të vazhdojnë të qeverisin. Nëse ata refuzojnë të japin llogari, atëherë edhe ne si qytetarë duhet të refuzojmë të na qeverisin shkelësit e Kushtetutës”, u shpreh Limaj.

Nesër në ora 14:00, do të mblidhemi tek Biblioteka Kombëtare, për të nisur kështu protestën për shtet me sovranitet dhe kundër Qeverisë antikushtetuese. /RTKLive