Pala Kosovare dhe ajo serbe, nuk kanë arritur marrëveshje për heqjen e barrikadës mbi urën e lumit Ibër në qytetin e Mitrovicës.

Në takimin e sotëm të zhvilluar mes grupeve punuese nga Kosova dhe Serbia, në Bruksel, për gjetjen e një zgjidhjeje për urën mbi lumin Ibër, palët nuk kanë arritur pajtim.
Sipas një njoftimit të lëshuar nga zyra për komunikm e Zyrës për Punë të Jashtme të Bashkimit Evropain, kryesuesi i takimit, shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Samuel Zhbogar, ka paraqitur idenë për zgjidhjen e kësaj çështjeje, mirëpo palët kanë kërkuar të takohen sërish të hënën, për të diskutuar mbi këtë çështje.
I kontaktuar nga lajmi.net, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri që ishte pjesë e takimit për urën e Ibrit, ka refuzuar të komentoj më shumë por ka pranuar që ende nuk ka marrëveshje për largimit nga ura e Ibrit të “Parkut të paqes”, që në fakt është një barrikadë e vendosur nga serbët lokal që prej vitesh në këtë qytet.
“EEAS ka pritur sot palët e angazhuar në dialogun Beograd – Prishtinë në Bruksel për të diskutuar mbi lirinë e lëvizjes si dhe gjetjen e një zgjidhjeje për urën në Mitrovicë. Kryesuesi i grupit punues që diskutoi mbi çështjen e urës (Samuel Zhbogar) paraqiti para të dyja palëve vlerësimin teknik që është bërë së fundmi si dhe sugjerimet për tejkalimin e këtij problemi. Pjesëmarrësit u pajtuan që të takohen sërish të hënën për të diskutuar edhe më tej elementet e një marrëveshjeje që do të parashikojnë revitalizimin e urës në periudhën e ardhshme”, thuhet në njoftimin për media.
Më tej në njoftim thuhet që grupet punuese mbi çështjet tjera të ndërlidhura me implementimin e marrëveshjeve të arritura në kontekst të dialogut për normalizim të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës si për energji, telekom, asociacionin e komunave do të vazhdojnë punën e tyre këtë javë. /RTKLive