Malisheva shënoi Ditën e Çlirimit dhe Ditën e Dëshmorëve

Me aktivitete të shumta, sot në Malishevë, po shënohet 16 Qershori-Dita e Çlirimit dhe Dita e Dëshmorëve të Komunës së Malishevës.

Aktivitetet kanë filluar me pritjen e qytetarëve në zyrën e Kryetarit të Komunës, për urime, pastaj kanë vazhduar me seancën solemne të mbajtur nga Kuvendi i Komunës së Malishevës.
Në këtë seancë, fjalë rasti mbajtën kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj dhe kryesuesi i KK të Malishevës, Aziz Thaçi, të cilët në mënyrë kronologjike, folën për rëndësinë e 16 Qershorit, Ditës së Çlirimit, por e kjo datë rezulton e me Ditën e Dëshmorëve të Komunës së Malishevës, pasi, me 16 qershor 1998 ra dëshmori i parë, Imer Krasniqi dhe dëshmori i fundit Mentor Gashi, me 16 qershor të vitit 1999.
“ Dëshmorët e kombit dhanë më të shtrenjtën, për ta fituar më të shtrenjtën . LIRINË. Ne gjithmonë do të ulemi me respekt të veçantë para tyre”, tha mes tjerash kryesuesi i KK të Malishevës, Aziz Thaçi në fjalën e tij, të mbajtur sot para anëtarëve të Kuvendit të Komunës së Malishevës.
Më pas, aktivitetet zyrtare kanë vazhduar me nderime pranë Shtatores së Komandantit Legjendar Adem Jashari, në parkun e qytetit, për të vazhduar me homazhe dhe nderime në varrezat e dëshmorëve në Malishevë dhe Kleçkë, ku gjenden varrezat e dëshmorëve të brigadave 122 dhe 121, brigada të cilat vepruan në territorin e Komunës së Malishevës.
Në ora 13 është mbajtur Manifestimi Qendror, ky fjalën kryesore e pati i pari i Malishevës, Ragip Begaj, i cili në fjalimin e tij, i paraqiti zhvillimet në Malishevë, që nga formimi i komunës për herë të parë, pastaj për herë të dytë, luftën e UÇK-së, formimin e komunës për herë të tretë dhe zhvillimin e deritanishëm. Në këtë tubim morën pjesë edhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi, deputetë e Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj, njëherit edh kryetar i “Nisma për Kosovën”, pastaj deputeti Enver Hoti dhe Haxhi Shala, delegacioni nga Turqia, shoqatat e dala nga lufta, “Miqtë e Amerikës” dhe shumë personalitete tjera.
Në fjalën e rastit, Ambsadori Minxhozi, tha se “ Malisheva e vogël me peshë të madhe ka lënë gjurmë në historinë tonë, në mënyrë të veçantë në luftën e lavdishme të UÇK-së. Për liri duhen vepra, e këtë e bëri më së miri populli shqiptar dhe UÇK, e cila bëri një luftë të madhe që solli drejtësinë në vend”.
Ndërsa, kryetari i “Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, në fjalën e rastit, bëri thirrje për punë dhe angazhim nga të gjithë, pasi sipas tij “Malisheva ka pasuri të madhe intelektuale, ndërsa 16 qershori, duhet të jeët një festë për të gjithë të rënët në të gjitha kohët. Ai më pas tha se “liria ka ardhur nga gjaku u derdhur i dëshmorëve dhe këtë ju them atyre që ende kanë dyshime për këtë”. Limaj, foli edhe për luftës, si njëri nga protagonistët kryesor të luftës në këtë pjesë dhe sipas tij, “Malisheva dhe treva e Llapushës, gjithmonë kanë ditur të organizohen në luftëra dhe ta mbrojnë vendin”.
Këtë ngjarje, e ka përshëndetur edhe kryetari i Komunës së Orhangazit, Heset Çaglajan, i cili shprehi kënaqësinë e tij që gjendet këtu, në këtë ditë të rëndësishme për Malishevën, duke festuar së bashku me popullin e Malishevës.
Më pas u ndanë edhe çmimet tradicionale. Çmimi për trimër dhe heroizëm “Imer Krasniqi, ju nda Skënder Hotit dhe Isë Hoxhës, çmimi për kontributin e dhënë në arsim “Hamdi Berisha”, ju nda Iliaz Zogajt dhe Mihriije Bytyçit dhe çmimi për kontribut në shëndetësi ju nda Selim Krasniqit dhe Afrim Krasniqit.
Në këtë manifestim, u lexua edhe vendimi për shpalljen “Qytetar Nderi” i Malishevës për Christopher Hill, e me këtë rast, në pamundësi të prezencës së të Hillit, kryetari shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi, lexoi një deklaratë të Christopher Hill, lidhur me dhënien e titullit “Qytetar Nderi” i Malishevës. Në letrën e Hillit, dedikuar ditës së sotme, thuhet: Është nderë të jem qytetar i një qyteti që pagoi një çmim kaq të shtrenjtë që kosovarët të gëzojnë lirinë tani. Jam shumë i prekur nga gjesti juaj gjentil dhe bujar. Për fat të keq, nuk mundem të marr pjesë fizikisht me 16 qershor, por ju siguroj se do të jem atje me shpirtin tuaj.
Po ashtu kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka ndarë mirënjohje edhe për mërgimtarin Nuhi Mazreku, për kontributin e dhënë shkollën shqipe në Suedi dhe për kontributin e dhënë për Malishevën.
Pas manifestimit qendror, po në parkun e qytetit, është bërë zbulimi pllakës përkujtimore me emrat e të gjithë të vrarëve nga forcat e armikut, gjatë periudhës së luftës 1998-1999. Zbulimi i tri pllakave me emrat e të gjithë të rënëve, e bënë, kryetari i Malishevës, Ragip Begaj dhe kryetari i Orhangazit, Heset Çaglajan, pllakën e dytë Ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Qemajl Minxhozi dhe kryetari i “Nisma për Kosovën”, Fatmir Limaj, ndërsa pllakën e tretë, e zbuluan disa nga familjarët e të vrarëve gjatë luftës 1998-1999.
Manifestimet do të vazhdojnë me koncertin e madh që mbahet në qendër të Malishevës, e ku do të marrin pjesë emra të njohur të estradës kosovare, malishevas dhe të mysafirëve të tjerë dhe të gjitha aktivitetet do të përmbyllen me ndezjen e fishekzjarrëve. / RTKLive.com

Lexo me shume nga kjo kategori…