MBROJTJA E TË DYSHUARVE PËR TERRORIZËM: NUK KA ASNJË PROVË

Seanca dëgjimore në të cilën u shqyrtua kërkesa e Prokurorisë Speciale, për përcaktimin e paraburgimit ndaj pesë të dyshuarve për terrorizëm, që u arrestuan dje nga Policia e Kosovës, ka përfunduar.

Vendimi për ta pritet të mirret nesër. Mbrojtja ka vlerësuar se nuk ekzistojnë prova të cilat vërtetojnë dyshimin se të dyshuarit kanë kryer veprën penale, atë të përgatitjes së akteve terroriste.

Avokati Bajram Tmava, që mbron të dyshuarin Milazim Haxhijaj, tha se për këto vepra penale duhet të ketë argumente të forta me të cilat vërtetohet qëllimi apo veprimi korrekt i një të pandehurit. E që në këtë rast, sipas tij, prova nuk ka.

“Nga tërë ajo që u dëgjua edhe nga ana e prokurorit special, edhe nga ana e mbrojtjes, është vlerësim i yni se nuk janë ofruar prova, vërtetë nuk është ofruar asnjë provë që vërteton dyshimin e arsyeshëm ashtu siç kërkohet në dispozitë ligjore”, tha ai.

Meqë, pesë të pandehurit dyshohen se po përgatisnin akte terroriste, Tmava, i pyet ur se cili qe caku i tyre, ai e mohoi të kenë pasur ndonjë cak.

“Kurrfarë caku nuk ka. Për me ekzistua caku, duhet të ekzistojnë provat, duhet të ekzistojnë mjetet, përgatitja. Dhe, ato mjete dhe përgatitje duhet të funksionalizohen, të tentohet me u funksionalizu. Janë arrestuar, afër liqenit. Nuk është diskutabile, që këta janë myslimanë të devotshëm, i mbrojturi im është mysliman i devotshëm, dhe deklarata e tij decitive, unë asnjëherë nuk veproj kundër popullit tim e as kundër interesave të popullit të Republikës së Kosovës”, tha Tmava.

Pas seancës dëgjimore, që zgjati rreth tre orë, mbrojta e të gjithë të pandehurve mohuan të ketë ndonjë provë që vërteton dyshimin mbi ta.

“Nuk ka prova, për mo mentin nuk ka prova që këta e kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohet nga Prokuroria Speciale. Nesër pritet me u marrë vendimi, e të shohim si po vendosë gjykata”, tha avokatja e Enis Latifit, Sabrie Jashari.

E gjatë ditës, Jashari u citua të iu ketë thënë gazetarëve që në çantën e të pandehurve janë gjetur dorëza, flamuj të ISIS dhe një sprej-helm. Madje, edhe që të dyshuarit nuk u lanë të kryejnë ritet fetare gjatë kohës sa ishin nën mbajtje. E që një gjë të tillë, Policia e Kosovës e ka mohuar menjëherë.

Pas seancës, Jashari mohoi të ketë dhënë deklarata të tilla.

“Nuk është e vërtetë, është një keqkuptim nga ana e gazetarëve, sepse nuk është gjetur helm dhe unë nuk e kam thënë një gjë të tillë”, tha ajo.

Enis Latifi, Besnik Latifi që janë nga komuna e Vushtrrisë, Milazim Haxhijaj nga Istogu, Gazmend Halilaj dhe një tjetër, identiteti i të cilit nuk dihet, janë pesë personat që u arrestuan nga Policia e Kosovës mëngjesin e së shtunës në afërsi të liqenit të Badovcit. Sipas Policisë në veturat që ishin të dyshuarit janë gjetur maska e pajisje që propagandojnë ISIS-in. Menjëherë pas arrestimit me urdhër të organeve të drejtësisë tërë ditën e shtunë është ndalur uji për banorët që furnizohen nga liqeni i Badovcit. Nga analizat që dje ka bërë Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike rezultoi se uji është i pastër dhe nuk ka helm/ / RTKLive

Lexo me shume nga kjo kategori…