Jo i gjithë “Grupi Drenica” në burg

Për dallim nga Sami Lushtaku, Sylejman Selimi, Jahir e Zeqir Demaku e Isni Thaçi që u dërguan në burgun e Dubravës, Nexhat e Fadil Demaku dhe katër të tjerëve nuk u është marrë pasaporta dhe kanë të drejtë të udhëtojnë jashtë shtetit.

Lëvizjet brenda dhe jashtë Kosovës, ushtrimi i funksioneve publike, por edhe komunikimi me media nuk janë të kufizuara për gjashtë nga njëmbëdhjetë ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që njihen si “Grupi i Drenicës”, të cilëve ditë më parë Gjykata Themelore në Mitrovicë ua shqiptoi dënimin me mbi gjysmë shekulli burg.

Menjëherë sapo gjyqtari ka marrë vendim për dënimin me 65 vjet burg për 11 pjesëtarët e UÇK-së, nën masa të rrepta të sigurisë është bërë arrestimi i tyre, të cilët aktualisht bartin pozita të larta në vend, duke i dërguar për vuajtjen e dënimit në Burgun e Dubravës.

Por, nga masa e arrestit kanë shpëtuar vetëm ata që janë dënuar nën 5 vjet, përshirë këtu: Nexhat Demakun, kryetar i Komunës së Drenasit i dënuar me 3 vjet burg, vëllai i tij që është deputet i Kuvendit të Kosovës, Fadil Demaku po ashtu me 3 vjet, Bashkim, Selman, Driton e Agim Demaj me nga 3 vjet burgim.

Për dallim nga pesë të akuzuarit e tjerë të “Grupit të Drenicës”, Sami Lushtaku, kryetar i Komunës së Skenderajt, Sylejman Selimi, ish-ambasador i Kosovës në Shqipëri, Jahir e Zeqir Demaku dhe Isni Thaçi që janë dërguar në vuajtjen e dënimit ende pa e marrë aktvendimin në formë të shkruar, gjashtë të tjerëve nuk u është mohuar lëvizja e lirë. (Zëri)

Lexo me shume nga kjo kategori…