Isa Mustafa: Isa Boletini, inspirim për brezat e rinjë

Kryeministri i vendit Isa Mustafa ka postuar një shkrim në llogarinë e tij në Facebook, kushtuar ditës së sotme që ishte e veçantë ngaqë u rivarrosën eshtrat e Isa Boletinit.

Ky është postimi i plotë i Mustafës:
“Përtej simbolikës, kthimi i eshtrave të Heroit të Kosovës, Isa Boletini, në Kosovë, në vendlindjen e tij, është detyrim i yni shtetëror, ndaj këtij vigani të historisë sonë kombëtare, jeta dhe vepra e të cilit ka qenë, është, dhe do të mbetet përgjithmonë inspirim për brezat tonë të rinj.
Isa po i kthehet përfundimisht Kosovës, po i kthehet Boletinit të tij të dashur, në të cilin pushtues të ndryshëm rrënuan çdo gjë, ia dogjën kullat disa herë, porse ai dhe Boletinët e tij i ringritën sërish nga e para të gjitha ato që u rrënuan, siç është ringritur shqiptari prore që nga koha e Skënderbeut e këtej.
Isa do të prehet në dheun e vendlindjes së tij në Boletin, po rivarroset aty nga u nis në beteja me trimat e tij, aty nga shtegtoi në Vlorë për të shpall pavarësinë e shtetit shqiptar.
Isa Boletini është Hero i Kosovës, dhe si i tillë duhet të ketë nderimin e të gjithë neve dhe të gjithë qytetarëve.
Isa Boletini nuk është vetëm simbol i unitetit shqiptar, simbol i vetëflijimit për lirinë dhe prosperitetin e kombit të tij, por është edhe një simbol i jashtëzakonshëm i luftës dhe flijimit për lirinë universale njerëzore.
Zoti e bekoftë Isa Boletinin dhe familjen e tij heroike!
Zoti i bekoftë të gjithë ata që punuan dhe ndihmuan që heroi ynë të kthehet dhe të varroset në tokën e tij!
Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe miqtë e saj! (RTKlive.com)

Lexo me shume nga kjo kategori…