Ekzekutivi dhe legjislativi i kthehen Speciales

Të ndodhur përballë presionit ndërkombëtar, ekzekutivi dhe legjislativi i vendit pritet t’i kthehen sërish përpjekjeve për themelimin e Gjykatës Speciale.

Të premten e kaluar, Kuvendi dështoi t’i miratojë ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugë themelimit të kësaj gjykate. Por analistët politikë rekomandojnë që mos të përsëritet e njëjta që ndodhi në atë seancë, ngase sipas tyre, kjo Kosovës do t’i kushtojë shumë në arenën ndërkombëtare.

Themelimi i Gjykatës Speciale është detyra më e madhe me të cilën është ballafaquar Qeveria e Kosovës që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, vlerësojnë analistët politikë, sipas të cilëve, themelimi i kësaj gjykate mbetet kushti kryesor për vazhdimin e raporteve të mira të Kosovës me partnerët ndërkombëtarë. Analisti Artan Muhaxhiri thotë se nëse nuk kalohet ky test, do të ketë pasoja shumë të mëdha për të ardhmen ndërkombëtare të Kosovës. Ai thotë se nuk bën të përsëritet ajo që ndodhi në seancën e javës së kaluar.
“Ajo që ndodhi të premten ishte një neglizhencë e liderëve kosovarë dhe ishte një episod i pakëndshëm në raportet mes Kosovës dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë, gjë që nuk guxon të përsëritet në të ardhmen. Pra shteti i Kosovës nuk e ka luksin që ta përsërit atë gabim të së premtes, i cili do t’i kushtojë shumë në arenën ndërkombëtare”, tha Muhaxhiri për Radio Kosovën.
Ndërsa analisti Imer Mushkolaj thotë se institucionet nuk kanë rrugëdalje tjetër dhe se duhet ta themelojnë Gjykatën Speciale, pasi që është obligim ndërkombëtar, të cilin madje edhe një pjesë e opozitës e ka përligjur kur ka votuar letërkëmbimin e presidentes Jahjaga me ish shefen e diplomacisë evropiane.
“Sa më herët që ne çlirohemi nga barra e së kaluarës aq më mirë për ne, për shkak se do të mund të shkojmë tutje dhe absolutisht për ne, sidomos në këtë kohë shumë të ndijshme, edhe për shkak të proceseve nëpër të cilat po kalon vendi, është e panevojshme që të bëhet kjo lojë politike ose partiake për interesat e kujtdoqoftë”, tha Mushkolaj për Radio Kosovën.
Mushkolaj thotë se Kosova ka humbur shumë gjatë viteve të pasluftës duke mos marrë iniciative për themelimin e një gjykate që do të merrej me krimet e luftës, ndërsa propozimin e opozitës pas dështimit të votimit në Kuvend, e quan të vonuar dhe qesharak.
“Propozimet shumë të vonshme të opozitës për mua janë qesharare, për faktin se edhe opozita priti se çfarë po ndodhë në Kuvend, në mënyrë që të dalë me propozime konkrete”, tha Mushkolaj.
Ndryshe, pas dështimit të ndryshimeve kushtetuese në seancën e javës së kaluar, është rritur presioni ndërkombëtar për themelimin e Gjykatës Speciale. Me këtë presion është përballur kryeministri Isa Mustafa gjatë vizitës në Berlin ku u prit nga kancelarja gjermane Angela Merkel. E në të njëjtën kohë mesazhin amerikan për themelimin e kësaj gjykate, tek presidentja e Kosovës dhe institucionet tjera, e përcolli përfaqësuesi i Kongresit amerikan, Eliot Engel, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë. / RTKLive

Lexo me shume nga kjo kategori…

Votimi Përmes Postës nga Diaspora

Votimi Përmes Postës nga Diaspora

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ju mundëson qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit të votojnë përmes postës në zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale që mbahen në Kosovë. Për të votuar përmes postës, ju duhet të përmbushni kriteret e zotësisë juridike, të cilat...

mehr lesen
Muri në  Mitrovicë dhe reflektimi i tij në Luginë

Muri në Mitrovicë dhe reflektimi i tij në Luginë

Muri në Mitrovicë, veçmas këto 2 javët e fundit, gjithënjë e më shumë është duke patur implikime dhe ndërlidhshmëri me realitetin në Luginë të Preshevës. U dëgjuan edhe opsione politike, por të cilat nuk kishin qëndrueshmëri në asnjë aspekt tjetër, si ajo për shkëmbim...

mehr lesen
Haradinaj falenderon të gjithë ata që e mbështetën

Haradinaj falenderon të gjithë ata që e mbështetën

Lideri i AAK-së dhe ish- komandanti i UÇK-së Ramush Haradinaj me anë të një statusi në Facebook ka përshëndetur të gjithë mbështetësit e tij në këto ditë sa ishte në arrest e kanë mbështetur atë. Haradinaj tha se me këtë çka ka parë këto ditë e kanë bërë që të ndihet...

mehr lesen