Opozita tashmë ka ndarë mendjen për organizimin e protestave masive deri në ndalimin e themelimit të Asociacionit të Komunave Serbe, siç po e quajnë ata ‚Zajednicës‘.

Por, ajo që nuk po i bashkon është forma se si do të organizohen protestat, nëse do të jenë të dhunshme apo jo. Derisa nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se do të përdoren të gjitha format për të ndaluar themelimin e ‘Zajednicës’, duke mos mohuar as dhunën, dy partitë tjera, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, janë shprehur kategorikisht kundër protestave të dhunshme.

Frashër Krasniqi nga “Vetëvendosje” thotë për KosovaPress se ata janë duke organizuar tribuna, aksione simbolike të cilat janë në funksion të mobilizimit të qytetarëve në kundërshtim të ‘Zajednicës’. Ai tha se janë edhe duke u koordinuar me partitë opozitare dhe pjesëtarët e shoqërisë civile dhe gjithë ata që duan ta ndalojnë ‘Zajednicën’, që të bashkohen dhe të gjitha aktivitetet të kulmojnë me protesta masive.

Mirëpo, edhe pse opozita është p ajtuar që të organizojnë protesta në kundërshtim të Asociacionit të komunave serbe, ato nuk po pajtohen që të ketë dhunë. VV-ja nuk përjashton asnjë formë, madje as dhunën vetëm që të parandalohet themelimi i Asociacionit, derisa AAK e Nisma janë shprehur hapur se nuk duan protesta të dhunshme.

“Dy gjëra janë të sigurta, ne do të vazhdojmë me aktivitete, me aksione me protesta, demonstrata të pandalshme derisa të ndalet ‘Zajednica’, dhe e dyta është që ne do ta ndalim patjetër ‘Zajednicën’. Pra do të bëjmë çmos që ‘Zajednica’ të ndalet. Kjo nënkupton që po organizojmë aksione të ndryshme, do të organizojmë peticione, dhe do të kulmojmë me protesta e demonstrata. Saktësisht se kur do të ndodh kjo, jemi në diskutim e sipër, por ajo që dihet sigurt është se ne jemi të pakompromis në betejën për ta parandaluar ndarjen dhe defunksionalizimin e Kosovës”, tha Krasniqi.

Krasniqi theksoi se nuk është kryesore nëse ata do të përdorin dhunë, por vendosja e ‘Zajednicës’ në territorin e Kosovës përmes së cilës do të ndahen resurset e Kosovës, ekonomia dhe territori i Kosovës, është dhuna më e madhe që po i ndodh Kosovës.

Kundër dhunës në protesta ka dalë sot edhe kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, i cili tha se nuk do t’i mbajnë sytë mbyllur nëse protestat keqpërdoren dhe marrin drejtim të gabuar dhe shndërrohen të dhunshme. Sipas tij AAK është që protesta të shërbejë për t’u dëgjuar zëri i qytetarëve kundër degradimit të vendit.

“Ne kur po flasim kundër dhunës po tregojmë se nuk do t’i mbajmë sytë mbyllur, që të keqpërdoret protesta, të marrë drejtim të gabuar, por protesta me qenë vërtet zëri qytetar që e pengon degradimin e gjendjes në vend…Sot ka ndodh protesta, vendimi i Aleancës është protestë, është vendim politik, kanë ndodhur diskutime shumë..ka filluar protesta”, tha Haradinaj.

Për protesta, por jo të dhunshme janë edhe partia më e vogël opozitare ajo e Fatmir Limajt, e cila do t’i bashkohet organizimit të protestave në kundërshtim të Asociacionit.

Bilall Sherifi nga Nisma për Kosovën tha për KosovaPress se të gjithë duhet të bëhen bashkë për të ndaluar themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, sepse përmes tij do të bëhet ndarja territoriale e Kosovës, do të pranohet sovraniteti i Serbisë mbi Kosovën

“Opozita, natyrisht parlamentare dhe jo parlamentare, partitë tjera që nuk janë në parlament do t’i prijnë këtij procesi, por presim që qytetarët të jenë më aktiv në përgjithësi dhe të dëshmojmë se ndarjet pozitë opozitë janë në shoqëri demokratike normale, por këtu nuk kemi të bëjmë me kundërshtimin e një qeverie, por kemi të bëjmë me dëmtimin e të ardhmes së këtij vendi…Mendoj që askush nuk ka të drejt që për të kundërshtuar një dëm që i bëhet Kosovës të bëjë një dëm me të madh. Prandaj mënyra dhe rruga që do të ndiqet për të kundërshtuar këtë sigurisht do të jenë demokratike”, tha Sherifi.

Megjithatë, pavarësisht paralajmërimit të protestave, asnjëra nga partitë opozitare nuk ka mundur të thotë se kur do të fillojnë protestat në kundërshtim të themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. /RTKLive.com