Emisari presidencial i Shteve të Bashkuara për Koalicionin Global kundër Shtetit Islamik, gjenerali John Allen, ka qëndruar të enjten në Kosovë, për të zhvilluar takime me udhëheqësit e institucioneve qendrore në Kosovë.
Fillimisht, gjenerali amerikan është takuar me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, zyra e së cilës përmes një komunikate ka njoftuar se "presidentja ka shprehur vendosmërinë dhe ka nënvizuar përpjekjet konkrete të institucioneve të Republikës së Kosovës që vendi të mos bëhet strehë e grupeve terroriste apo burim i ekstremizmit".
“Gjenerali Allen vlerësoi anëtarësimin e Kosovës në koalicionin global në luftën kundër ISIS-it dhe pjesëmarrjen e saj në Grupin Punues të Koalicionit për shpërndarjen e mesazheve të kundërta.
Gjenerali Allen dhe presidentja e Republikës së Kosovës u pajtuan rreth rëndësisë së shkëmbimit të të dhënave dhe të informacioneve për të ndihmuar në ndalimin e valës së luftëtarëve të huaj dhe i diskutuan një varg mënyrash se si mund të zgjerohet dhe thellohet përqasja ndaj komuniteteve që mund të rrezikohen nga radikalizmi”, thuhet në komunikatën e presidencës së Kosovës.
I dërguari amerikan është takiuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, përmes një deklarate për media, ka thënë se gjatë takimeve është diskutuar "bashkëpunimi për ta degraduar dhe mposhtur ISIS-in".
"Gjenerali Allen u pajtua me zyrtarët e Kosovës rreth rëndësisë së përmirësimit të shkëmbimit të të dhënave dhe të informacioneve për të ndihmuar në ndalimin e lëvizjes së luftëtarëve të huaj, dhe diskutuan një varg mënyrash se si ne mund të zgjerojmë dhe thellojmë përqasjen ndaj popullatave që janë të rrezikuara nga radikalizimi", thuhet mes tjerash në deklaratën e ambasadës amerikane.
Ndryshe, njohësit e rrethanave të sigurisë në Kosovë, vlerësojnë se vizita e gjeneralit Allen në Kosovë, duhet të jetë motivuese për konsolidim në luftën kundër organizatave të njohura ndërkombëtarisht si terroriste, siç është Shteti Islamik.
Skënder Perteshi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se vizita e emisarit presidencial të Shteteve të Bashkuara për Koalicionin Global kundër Shtetit Islamik, duhet parë në dritën e vazhdimësisë së përpjekjeve, koordinimit dhe bashkëpunimit të Kosovës me organizatat ndërkombëtare për të parandaluar dhe luftuar përhapjen e ekstremizmit dhe radikalizmit në Kosovë.
“Kosova ka qenë pjesë e samitit të Uashingtonit dhe po ashtu edhe në samitin e Tiranës, që është mbajtur muajin e kaluar. Këto vizita janë edhe një përpjekje për të ngritur marrëdhëniet ndërkombëtare ndërmjet shteteve për luftimin e ekstremizmit dhe për të vazhduar që të koordinojnë të gjitha aktivitetet dhe bashkëpunimin ndërkombëtarë në parandalimin e këtij fenomeni”, tha Perteshi.
Ndërkaq, Naim Maloku, ekspert për çështje të sigurisë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se vizita e gjeneralit Allen, është motivim për institucionet dhe shoqërinë e Kosovës për luftimin e ekstremizmit fetar.
“Ardhja e këtij personaliteti, kreut të Koalicionit kundër ISIS (Shteti Islamik), në Kosovë, duhet kuptuar si një mbështetje për përpjekjet që është duke i bërë Kosova dhe duhet ta kuptojmë si fakt se çfarë rëndësie ka Kosova për këtë koalicion. Kjo duhet të na motivojë edhe më shumë në përpjekjet tona, si komb, për t'u konsoliduar edhe më mirë për ta demaskuar këtë ideologji (të Shtetit Islamik), që është rrezik edhe për ne”, ka theksuar Maloku.
Të dy njohësit e rrethanave të sigurisë, vlerësojnë se Kosova tashmë ka krijuar mekanizmat ligjor dhe të sigurisë për parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit dhe radikalizmit fetar.
Sipas tyre, Kosova tashmë ka ligjin që penalizon jo vetëm shkuarjen e qytetarëve të Kosovës për t’iu bashkangjitur Shtetit Islamik në luftërat në Siri dhe Irak, por edhe rekrutimin, nxitjen dhe propagandën që ndërlidhen me këtë qëllim.
Por, Perteshi vlerëson se pengesë për Kosovën në luftë kundër ekstremizmit mbetet mungesa e bashkëpunimit ndërkombëtar policor, për shkak se Kosova ende nuk është pjesë e Interpolit dhe iniciativave rajonale të sigurisë, të cilat do ta mundësonin shkëmbimin e informacioneve inteligjente dhe të ndjeshme, për lëvizjet e personave të ndryshëm që janë pjesë e strukturave dhe grupeve ekstremiste atje.
“Po, me rëndësi është që, para se Policia e Kosovës dhe mekanizmat e sigurisë të merren me çështjen e ekstremizmit dhe radikalizmit, shoqëria duhet me qenë ajo që duhet të ketë përgjegjësi për ta luftuar këtë fenomen. Shteti, të gjitha mekanizmat e tij, organizatat e shoqërisë civile, mediet dhe qytetarët duhet të veprojnë dhe ta luftojnë idenë".
"Vetëm nëse ne i luftojmë idetë, shkaqet dhe faktorët që ndikojnë tek qytetarët tonë që t’iu bashkohen grupeve ekstremiste, atëherë do të jemi në gjendje që ta reduktojmë numrin e qytetarëve që bëhen pjesë e grupeve ekstremiste në Siri dhe Irak, si dhe kudo që të jetë në vendet tjera”, tha Perteshi.
Gjenerali John Allen në Kosovë ka arritur pas vizitës që i bëri Dohas në Katar, ku ka marrë pjesë në forumin mbi marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Botës Islame.
Atje, emisari amerikan ka thënë për ISIS-in se grupi militant ka pasur ndikim global dhe mund të shkaktojë kaos mbi përparimet e njerëzimit, nëse nuk ndalet.
Gjenerali i pensionuar tashmë, i emëruar nga presidenti amerikan, Barack Obama në shtator të vitit të kaluar, për të ndërtuar koalicionin botëror kundër Shtetit Islamik, tha se grupi militant nuk është vetëm problem irakian apo sirian, por një “problem rajonal me tendencë për ndërlikime globale”.
Ky grup tashmë ka humbur çerekun e rajoneve të banuara, të cilat i kontrollonte në Irak, por për ta mposhtur ideologjinë e IS-it do të duhet një gjeneratë e tërë apo më shumë, ka thënë gjenerali Allen.
Ai ka folur edhe për luftëtarët e huaj të cilët i janë bashkuar këtij grupi, duke thënë se kufiri i Turqisë me Sirinë dhe ai me Irakun paraqesin “vijat e fundit të mbrojtjes”.
Ndryshe, sipas hulumtimit të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, mbi 230 qytetarë nga Kosova thuhet se u janë bashkuar organizatave terroriste në Siri edhe Irak, duke e renditur Kosovën në vendin e tetë nga numri i shteteve, qytetarët e të cilave u janë bashkuar luftërave të huaja. /REL/