Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka angazhuar dy zyrtarë për pozitën “Menaxher i Prokurimit”, duke shkaktuar konfuzitet lidhur me kompetencat e zyrtarëve, dhe shpenzime të panevojshme.
Kështu thuhet në raportin e Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2014. Sipas Auditorit menaxhmenti nuk i ka zbatuar kontrollet ekzistuese në mënyrë efektive për të siguruar se janë respektuar kërkesat e ligjit dhe rregulloreve aktuale.
“Edhe pas rekrutimit të menaxherit të prokurimit, (që me rastin e rekrutimit nuk kishte liqencë të prokurimit dhe si rrjedhojë as të drejtë të nënshkruajë kontrata), Akademia ka vazhduar të paguajë për detyrat e tij një zyrtar të angazhuar nga jashtë me kontratë mbi vepër. Kompenzimi mujor për të angazhuarin ishte paguar pa nevojë për dy muaj pas çertifikimit të menaxherit të rekrutuar”, thuhet në raport.
Në një rast ishte angazhuar një zyrtar me kontratë mbi vepër në kohë zgjatje prej 12 muajve për kryerjen e punëve rreth ” Dizajnit dhe zhvillimit të softuerit për menaxhimin e librave në ASHAK” duke u kompensuar 330 euro në muaj, dhe nënshkrimi i kontratave mbi vepër për periudha më të gjata se tre muaj është në kundërshtim më rregullativën ligjore. Zyra e Auditorit, ka gjetur gjithashtu pagesa e dy pagave si paga primare përmes sistemit të Payroll–Prioritet i lartë.
“Pagesat për 37 anëtar (25 anëtar të rregullt dhe 12 anëtar korrespondent të ASHAK) procesohen përmes sistemit të payrollit. Këto shpërblime në payroll figurojnë si pagë e rregullt (primare). Ato i nënshtrohen të gjitha normave tatimore dhe ndaljes së kontributeve të obliguara me Ligjin për Fondet Pensionale të Kosovës. Statuti i Akademisë në përputhje me Ligjin e ASHAK përcakton të drejtën e përfitimit të shpërblimit të përhershëm mujor për personelin akademik. Ne kemi konstatuar se 10 anëtar të Akademisë që janë përfitues të këtij shpërblimi, kanë një marrëdhënie të rregullt dhe kompenzohen me pagë primare, edhe në një organizatë tjetër Buxhetore. Kompensimi i dy pagesave me pagë primare nga Buxheti i konsoliduar i Kosovës dëmton buxhetin, duke marrë parasysh se për pagën primare tatimi në pagë ndalet sipas shkallëve tatimore, përderisa për pagën e dytë do të duhej të ndalej tatimi në lartësinë 10%. Po ashtu, kjo e ul efikasitetin dhe besueshmërinë e sistemit të pagave”, thuhet në raport.
Sipas auditorit, tek mallrat dhe shërbimet të cilat ishin 98 %, është nxjerr në pah një nivel i lartë i ekzekutimit të buxhetit në tre mujorin e fund vitit(45% në vitin 2014). Në raportin e Auditorit të Përgjithshëm janë vërejtur disa nga kontratat të nënshkruar me vlerë më të lartë se sa ishte planifikuar.
Rasti ishte identifikuar tek lënda e furnizimit me mobilje, ku janë planifikuar 3,000€, ndërsa janë kontraktuar 18,047€ dhe, tek lënda për mirëmbajtjen e teknologjisë informative ku janë planifikuar 1,000€, dhe janë kontraktuar 1,650€.
Ndërsa, sipas zyrtarëve të ASHAK-ut, është shpjeguar se kjo ka ndodhur për shkak të ndryshimit të planeve, si dhe rrethanave gjatë vitit.
Po ashtu, zyra e Auditorit ka vërejtur edhe pranimin e faturave të furnitorëve të cilat dërgohen për pagesë, të cilat pranohen e regjistrohen në librin e protokollit, e që ato nënshkruhen nga zyrtarë të ndryshëm, madje edhe nga ai çertifikues e që kjo e fundit është hallka e fundit e zinxhirit kontrollues në procesin e pagesave.
Ky nënshkrim bëhet pasi të kryhen të gjitha procedurat dhe kontrollet e parapara.
Përveç kësaj një pjesë e donacioneve kanë mbetur pa u shpenzuar. Pjesa e donacioneve, megjithëse parashihej të shpenzohet në disa vite, një gjë e tillë nuk është reflektuar në planifikimet buxhetore.
Parregullsi tjetër në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, zyra e auditori kishte gjetur shpenzimet në blerjen e tri veprave artistike në vlerë 9,000€, në këtë rast shpenzimi ishte bërë nga kodi ekonomik 13460, ndërsa në regjistrin e pasurisë, pikturat ishin regjistruar në kodin 31900 si kapitale tjera. ASHAK kishte bërë kërkesë në Ministrinë e Financave për të marr një sqarim, mirëpo nuk kishte marrë përgjigje adekuate në lidhje me trajtimin e kësaj çështje./Kosovapress/