Lëvizja Vetëvendosje përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se nuk do të ketë normalizim të situatës në rast se nuk tërhiqen marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel.

Përmes këtij njoftimi ata kanë thënë se situata po tensionohet si rezultat i insistimit të pushtetit për t’i realizuar marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacionin me Malin e Zi. Ne nuk do të pranojmë diçka të tillë dhe nuk do të ketë shtensionim të situatës pa hequr dorë Qeveria nga besnikëria ndaj Serbisë.

Lexojeni njoftimin e plotë të VV-së:

Nuk ka normalizim pa u tërhequr marrëveshjet!
Sot, deputetët e opozitës pamundësuan sërish vazhdimin e seancave të Kuvendit të Kosovës. Megjithëse Kuvendi u blindua nga qindra policë, opozita vazhdoi protestën e saj brenda Kuvendit për të parandaluar normalizimin e punës së institucioneve. Koalicioni i „Zajednicës“ mund të mbajë mbledhje ilegale nëpër bufe e skuta të Kuvendit, por në Kosovë nuk do të ketë normalitet pa u tërhequr marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacioni me Malin e Zi.
Situata po tensionohet si rezultat i insistimit të pushtetit për t’i realizuar marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacionin me Malin e Zi. Ne nuk do të pranojmë diçka të tillë dhe nuk do të ketë shtensionim të situatës pa hequr dorë Qeveria nga besnikëria ndaj Serbisë. /RTKLive.com