Profeti Muhamed – Një Biografi e shkurtër

Profeti Muhamed u lind të hënën më 20 Prill 571 në Meke të Arabisë. Familja Hashimite së cilës i përkiste, ishte një degë e fisit fisnik e të fuqishëm Kurejsh. Babai i tij, Abdullahu, ishte një tregtar dhe vdiq përpara se ai të lindte. Nëna Emine jetoi derisa ai u bë gjashtë vjeç. Muhamedi jetim u mor nën mbikëqyrje së pari nga gjyshi Abdumuttalib për dy vjet dhe më vonë nga xhaxhai Ebu Talibi sipas amanetit të gjyshit.

 Profeti i fundit ishte fryti i lutjes së Profetit Ibrahim, i lajmeve të mira të Jezusit dhe i ëndrrës së nënës së tij Emine. Pasi ndërtoi Qaben, Profeti Ibrahim iu lut Allahut:

“O Zoti ynë! Dërgo tek ata një të dërguar nga gjiri i tyre, që t’u lexojë shpalljet e Tua, t’ua mësojë Librin dhe Urtësinë (rregullat e fesë) e t’i pastrojë (nga gjynahet)! Vërtet, Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti!”.” (Bekare, 2:129)

Jezusi u foli atyre që ishin pranë tij rreth Profetit që do ta pasonte të quajtur “Ahmed.” Nëna e Muhamedit, Emine, pa një ëndërr në të cilën asaj iu tha:

 “Ti mban në mitrën tënde udhëheqësin e njerëzve” dhe kur ai lindi, ajo tha: “Unë ia lashë nën mbrojtje Të Vetmit (Allahut) për ta ruajtur nga e keqja e çdo lakmitari”; dhe pastaj ia vuri emrin Muhamed.”

 Lindja e Profetit qe një shenjë e pranimit të asaj lutjeje, manifestimit të atyre lajmeve të gëzuara dhe realizimit të asaj ëndrre.

 Babai i Profetit, i cili përpara se Profeti të vinte në këtë botë, qe nisur njëherë për në një qytet tjetër për arsye tregtie, u sëmur dhe vdiq, pastaj u varros në Medine. Kështuqë Profeti nuk e pa kurrë babain e tij. Që kur lindi e derisa u bë katër vjeç, ai qëndroi me nënën e tij të gjirit Halimen. Më pas ai qëndroi edhe dy vjet të tjera me nënën e tij Eminen. Kur ishte gjashtë vjeç, e ëma e mori me vete në Medinë për të takuar kushërinjtë dhe për të vizituar varrin e babait të tij. Meqenëse Selma, nëna e gjyshit të Profetit ishte nga Medina, ata kishin kushërinj në atë qytet. Varri i babait të Profetit Muhamed ishte në kopshtin e shtëpisë së dajallarëve të tij në Nabiga. Emineja e vizitoi varrin e burrit të saj Abdullah dhe Profeti u njoh me kushërinjtë e tij nga fisi Naxhar. Gjatë rrugës së kthimit, Emineja u sëmur dhe vdiq në një vend të quajtur Abva, ku edhe u varros. Ummu Ajman e solli Profetin në Mekë dhe e la atë nën kujdesin e gjyshit të vet. Ai qëndroi te gjyshi nga mosha gjashtë vjeç deri në moshën tetë vjeç. Kur gjyshi i Profetit vdiq, sipas amanetit të tij, Muhamedi shkoi të jetonte me xhaxhain e tij, Ebu Talibin. Ebu Talibi ishte një njeri i respektuar në Mekë dhe njihej si djali më i respektuar i Abdumuttalibit.

 Profeti Muhamed i përjetoi të gjitha këto vdekje kur ishte fëmijë. Megjithatë kjo gjë nuk e mposhti. Ai u bë çobani i deleve të xhaxhit të tij në Mekë. Ai i kryente të gjitha punët e shtëpisë me kënaqësi dhe kontribuonte në buxhetin e familjes. Halla e tij, Fatime, e trajtoi si birin e saj dhe ai kurrë nuk e harroi këtë. Gjatë atyre viteve, kudo që Profeti të ishte duke jetuar, qoftë edhe kur ishte në shtëpinë e nënës së tij të gjirit, ai sillte begati. Është fakt që, megjithëse Ebu Talibi nuk ishte njeri i pasur ato vite, pas ardhjes së Profetit për të banuar tek ai, u bë e qartë se ai ishte një burim bekimi për shtëpinë e tij.

 Kur ai u bë 13 vjeç, filloi të punonte duke e ndihmuar xhaxhain e tij në tregti. Ai u mor me tregti për shumë vite dhe u bë i njohur për ndershmërinë dhe virtytet e tij. Kur ishte 20 vjeç, hyri në një institucion të quajtur Hilful Fudl (aleanca e të virtytshmëve), i ngritur nga disa banorë të Mekës për të luftuar hajdutët, plaçkitësit, kaçakët, shtypjen dhe padrejtësinë; aty ai qe një anëtar shumë efikas. Kur u bë 25 vjeç, u martua me Hatixhen. Hatixhja ishte 40 vjeçe në ata kohë dhe në propozimin e saj për martesë, në radhë të parë ndikoi reputacioni i tij si “El Emin” (i besueshmi, i ndershmi). Kur ishte 35 vjeç ai luajti rolin e gjyqtarit në Qabe; pati një mosmarrëveshje kur erdhi puna për të vendosur Gurin e Zi në vendin e duhur pasi secili fis pretendonte se u takonte atyre nderi i kryerjes së kësaj pune. Profeti e vendosi gurin mbi një çarçaf dhe i tha secilit prej kryetarëve të fiseve të kapte nga një cep të tij duke shmangur kështu një konflikt të mundshëm midis fiseve.

 Kur Profeti vajti rrotull të dyzetave, filloi të izolohej nga bota dhe nisi të dilte jashtë qytetit për meditim dhe adhurim. Ai kishte jetuar një fëmijëri dhe rini të pastër. Tani, duke kthyer kokën pas, ai ndjehej thellësisht i mërzitur nga korrupsioni dhe amoraliteti në të cilin jetonin njerëzit përreth tij. Kështuqë ai filloi të rrinte për periudha të caktuara kohore në një shpellë të quajtur Hira, pranë Mekës. Qëndronte aty për njëfarë kohe dhe më pas kthehej në shtëpi. Njëherë gjatë kthimit, ai dëgjoi një zë nga mesi i shkëmbinjve dhe pemëve që i thirri: “O Muhamed!”. Për rrjedhojë, ai nisi të shikonte ëndrra të cilat realizoheshin të nesërmen.

 Kur mbushi 40 vjeç, në vitin 610 gjatë muajit të Ramazanit, kryeengjëlli Xhebrail erdhi tek ai dhe periudha e shpalljes filloi. Shpallja e parë qe ajeti që nis kështu:

 “Lexo në emër të Zotit tënd i Cili krijoi…”. Kështu Allahu i Madhëruar ia caktoi detyrën e Profecisë Muhamedit.

 Njerëzit e parë që pranuan ftesën e Profetit për në Islam qenë Hatixhja, Aliu, Zejd ibn Harithe dhe Ebu Bekri. Ata u pasuan nga Osmani, Abdurrahman ibn Avf, Sa’d ibn Ebi Vakkas, Talha dhe Zubejri. Këta myslimanë të parë, e veçanërisht Profeti, vuajtën tortura të mëdha nga duart e idhujtarëve. Në fakt, shumë myslimanë si Jasiri dhe e shoqja Sumeje u vranë pas torturave të padurueshme. Bilali Habeshi, Ebu Fukajha, Habbab ibn Eret dhe Ummu Abis, Nahdije dhe Dhinnira gjithashtu vuajtën shumë. Këta qenë njerëzit të cilët poshtëroheshin vazhdimisht nga idhujtarët; madje edhe skllevërit dhe shërbëtorët e myslimanëve i nënshtroheshin shumë vështirësive.

 Qëndresa e këtyre myslimanëve të parë, ndikoi së tepërmi në përhapjen e Islamit. E vërteta është se gjatë viteve të para të profecisë së tij, burra të fuqishëm e trima si Hamzai dhe Omeri e përqafuan Islamin dhe e gjetën veten përkrah sahabeve dhe Profetit. Sa më shumë rritej numri i atyre që besonin në fenë Islame, aq më shumë shtoheshin dhe pengesat e idhujtarëve që synonin pengimin e përkrahjes së kësaj feje të re. Në vitin e pestë dhe të gjashtë të profecisë, të detyruar nga situata, disa myslimanëve iu dha leje nga Profeti për të emigruar në Abisini (Etiopi). Në vitin e shtatë, jobesimtarët i izoluan myslimanët në një zonë të Mekës dhe i bojkotuan ata. Atyre iu ndalua tregtia, udhëtimet dhe marrëdhëniet me njerëzit e tjerë. Kjo situatë zgjati për tre vjet. Në vitin e dhjetë të Profecisë, bashkë me vdekjet e njëpasnjëshme të Hatixhes dhe Ebu Talibit, vuajtjet dhe torturat e shkaktuara nga armiqtë e Islamit u shtuan edhe më tepër. Hatixhja dhe Ebu Talibi ishin njerëz të respektuar dhe ky respekt në njëfarë mase kishte garantuar një nivel mbrojtjeje për Profetin. Në këtë kohë, Profeti Muhamed vajti në Taif në përpjekje për të gjetur pak mbështetje nga jashtë. Populli i Taifit jo vetëm që refuzoi të pranonte Islamin apo t’i jepte ndonjë mbështetje Profetit, por ata madje e goditën me gurë dhe ai mezi ia doli të shpëtonte duke u strehuar në një kopsht pemësh jashtë Taifit i larë në gjak. Në lutjen e tij pasi i ishte nënshtruar këtij trajtimi të tmerrshëm, Profeti tha se nëse ishte duke e përmbushur siç duhet misionin e tij, këto tortura nuk kanë rëndësi për të. Nuk ka asnjë dyshim se ai veproi drejt dhe se ai i përmbushi përgjegjësitë e veta.

 Në këtë kohë, ata që sundonin në Mekë, morën një vendim sipas së cilit ai nuk duhej të kthehej më në qytet. Për këtë arsye, ai u kthye tek Mut’im ibn Adij në mënyrë që të siguronte dorëzanësinë e tij për të hyrë në Mekë. Ekzistonte një traditë e ndjekur gjerësisht në atë kohë në mes të njerëzve të shquar të fiseve Kurejshe, sipas së cilës, një person mund të sigurohej duke fituar mbrojtjen e tyre. Në kohën kur gjithë këto vuajtje të njëpasnjëshme binin si rrebesh mbi kokën e tij, Profeti Muhamed u mor nga Allahu në një udhëtim qiellor (Mi’raxh); kjo bëri që ai të hynte në audiencë të Allahut të Madhëruar dhe ai u bekua në marrjen e urdhëresave hyjnore pa ndonjë ndërmjetës. Në këtë natë, Profeti zbriti me vete shumë nga rregullat që ndodhen në suren Isra, surja e shtatëmbëdhjetë e Kuranit; 12 nga urdhëresat që ndodhen ndërmjet ajetit të 12 dhe atij të 39 të sures Isra, u shpallën në këtë natë. Ato mund të renditen në këtë mënyrë:

1. Bëhuni shërbëtor të Allahut dhe të askujt tjetër!

2. Trajtojini mirë prindërit!

3. Jepuni të drejtën që u takon të afërmve, të varfërve dhe udhëtarëve!

4. Mos ji as koprrac e as dorëlëshuar!

5. Mos i vrit fëmijët tuaj nga frika e varfërisë!

6. Mos bëj imoralitet apo veprime të shthurura!

7. Mos vrit!

8. Mos abuzo me pasurinë e jetimëve!

9. Mbaji premtimet!

10. Ki kujdes masën dhe peshën në tregti!

11. Mos ndiq atë për të cilën nuk ke dijeni (nëse është e mirë apo e keqe) dhe përmbahu nga pohimet e pabaza dhe hamendjet!

12. Shmangu nga mburrja dhe mendjemadhësia!

 Dhurimi i një mrekullie të tillë të shkëlqyer nëpërmjet Profetit Muhamed, ishte një shenjë që tregonte se herët a vonë Islami do të ndriçonte botën.

 Pavarësisht gjithë vështirësive, përpjekjet e Profetit Muhamed për të përhapur mesazhin e Islamit vazhduan. Ai i intensifikoi edhe më tepër përpjekjet nëpër udhëkryqe ku udhëtarët që vinin nga jashtë qytetit mund të kalonin. Më në fund, një grup prej gjashtë burrash që kishin ardhur nga Medine (Jethribi i atëhershëm) për pelegrinazh, dëshmuan vërtetësinë e mesazhit që ai solli dhe premtuan të plotësonin kushtet e Islamit. Vitin tjetër, pesë veta nga ky grup erdhën bashkë me shtatë njerëz të tjerë nga Medina dhe i dhanë besën Profetit në Akabe. Një besëlidhje e dytë u bë me shtatëdhjetë e pesë njerëz vitin tjetër, të cilët premtuan se do ta mbronin Profetin ashtu siç mbronin gratë dhe fëmijët e tyre. Në ditët që pasuan, me lejen e Allahut dhe të Profetit, myslimanët që po vuanin në Mekë, emigruan në Medine. Ky emigrim njihet si Hixhret në literaturën Islame. Të fundit që emigruan qenë Profeti dhe Ebu Bekri. Ky qe një emigrim i vështirë, me idhujtarët e Mekës që i ndoqën ata që nga shpella Theur në jug të Mekës dhe vazhduan derisa arritën në Medine. Profeti dhe Ebu Bekri patën një udhëtim me mjaft rreziqe, por më në fund, ata ia dolën të hynin në Medine. Populli i Medinës, ndryshe nga mekasit, i përkrahu ata të cilët kishin braktisur shtëpitë e tyre në Mekë për hir të Allahut. Për këtë arsye, Allahu i madhëruar i quan medinasit Ensarë (ndihmëtarët) në Kuran. Është fakt që u vendos një vëllazëri midis Emigrantëve dhe Ensarëve menjëherë pas emigrimit të Profetit. Në këtë mënyrë, akti i të ndihmuarit të njerëzve mori një dimension shpirtëror. Kjo mbështetje ndihmoi në kapërcimin e problemeve psikologjike. Emigrantët gjeten mundësinë të ndanin përvojën e tyre në Islam me popullin e Medinës. Emigrantët hapën dyqane dhe tregje dhe ata qenë në gjendje të plotësonin nevojat e tyre brenda një kohe të shkurtër. Në këtë mënyrë, myslimanët përfituan nga jeta ekonomike e qytetit.

 Të gjitha këto ngjarje i frikësuan idhujtarët e Mekës. Ata dëshironin t’i shkatërronin myslimanët përpara se ata të forcoheshin. Rezultat i kësaj qenë luftërat ndërmjet myslimanëve dhe idhujtarëve si ajo e Bedrit, Uhudit, Hendekut dhe Murajsit. Në vitin 630, Meka u mor pa gjakderdhje. Profeti u rikthye si triumfator në qytetin nga i cili ishte përzënë. Synimi i tij pas rikthimit ishte të pastronte Qaben prej idhujve dhe të rikthente Qaben e ndërtuar nga Profeti Ibrahim dhe rrethinat e saj ashtu siç duhej të ishin. Profeti nuk u hakmor dhe as nuk mbajti mëri. Përkundrazi, ai shpalli një amnisti të përgjithshme. Ai e tregoi madhështinë e tij duke falur kur ishte i fortë. Ai po planifikonte bashkimin, lartësimin dhe nuk kishte kohë për të humbur në çështje të parëndësishme. Dhe vërtet, muezini i Profetit, Bilali Habeshi, duke kënduar ezanin nga tarraca e Qabes, shpalli superioritetin dhe njësinë e Allahut të vetëm duke bërë që të ushtojnë qiejt e Mekës.

 Fisi mendjemadh dhe arrogant Havazin, pjesëtarët e të cilin nuk i përtypnin dot këto zhvillime të reja, thurën plane për të parandaluar ecjen përpara të myslimanëve, por këto plane nuk patën sukses. Ata u mundën në luftën e tyre nga myslimanët. Si rezultat, Islami u përhap gjithandej në të gjithë rajonin duke filluar që nga rajoni i Hixhazit dhe duke u shtrirë përmes Gadishullit Arabik. Brenda një viti pasi Profeti ishte kthyer në Medine, ai priti përfaqësues nga qindra fise.

 Në vitin 623, gjatë kohës së haxhit, Profeti foli përpara më tepër se njëqind mijë myslimanëve. I njohur si Hutbeja e Lamtumirës, ky ligjërim qe një përmbledhje e ideve të Islamit dhe prezantoi parime të përkryera në fushën e të drejtave të njeriut.

 Profeti i dashur i cili ishte në gjendje të komunikonte mesazhet e besuara atij falë durimit e vendosmërisë dhe zgjuarsisë së tij, i mbylli sytë në këtë botë të hënën më 8 Qershor 632.

 Periudha në të cilën jetoi Profeti njihet si Shekulli i Lumtur dhe Epoka e Bekuar. Gjatë kësaj Epoke të Bekuar, ndjekësit e Profetit u quajtën sahabe. Ata kryesisht përbëheshin në shumicën dërrmuese nga Emigrantët (Muhaxhirun) dhe Ensarët. Ky brez ishte i përbërë nga njerëz të cilët ishin të palëkundur në besimin e tyre, të mençur, të sjellshëm, mjaft të aftë, punëtorë, të durueshëm dhe të shkathët, ndaj, ata u bënë shembull për brezat e ardhshëm.

Lexo me shume nga kjo kategori…

Duaja (lutja) e cila tronditi qiellin!

Duaja (lutja) e cila tronditi qiellin!

Ibn Ebu Ed-Dunja përmend një hadith të transmetuar nga Enes ibn Malik (radijAllahu anhu), i cili tregon: “Një tregtar prej ensarëve, i quajtur Aba Mi’lak, blinte dhe shiste mallra duke përdorur paratë e tij dhe të njerëzve të tjerë. Ai ishte njeri i mirë dhe i...

mehr lesen

DISA FJALË DREJTUAR MJEKËVE DHE TË SËMURËVE

Falënderimi i takon vetëm se Allahut që na bëri musliman dhe na dalloi nga jobesimtarët. Falënderimi i takon vetëm se Allahut i Cili na dhuroi mendjen dhe na dalloi nga kafshët. Lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi Muhamedin, të birin e Abdullahit dhe robin e...

mehr lesen
Falja e Namazit

Falja e Namazit

Rëndësia e këtij obligimi islam në veçanti theksohet në më se njëqind ajete kur'anore, sepse namazi është vërtetim dhe manifestim i besimit të vërtetë - imanit. Përgatitja për namaz Për namaz nevoiten disa përgatitje, të cilat përbëhen nga këto kushte: 1.trupi, petku...

mehr lesen