Paradoks, pronat e sekuestruara nga shteti shiten disa herë

Shteti nëpërmjet mekanizmave të tij ligjorë, ka sekuestruar pasuri në vlerë prej 31 milion eurosh, që dyshohet se është krijuar në mënyrë të paligjshme nga individë të ndryshëm.

Por paradoksi në raste të tilla është se sekuestrimi i pronave të paluajtshme ekziston vetëm në letër, pasi në praktikë ato vazhdojnë të shiten e madje edhe të stërshiten. Një prej shumë rasteve është edhe ndërtesa dhe prona e ish-Klinikës ‚Medicus‘. Ajo në letra figuron e sekuestruar për shkak të dyshimeve që ndërlidheshin me transplant ilegal veshkash. Por kësaj prone deri më tash i janë ndërruar disa pronarë dhe aty aktualisht vepron një klinikë me emër dhe pronar tjetër. Gazetarja Ardita Sylejmani ka hulumtuar për disa javë këtë çështje dhe në vazhdim sjell më shumë detaje.

Pasuritë që dyshohet se janë fituar nga krimi dhe të sekuestruara nga organet e drejtësisë, shteti nuk po arrin t’i menaxhojë. Reklamimi për sekuestrimin e këtyre pasurive rezulton të jetë i paefektshëm në praktikë. Fakt është se pronat e sekuestruara, nuk kanë kurrfarë ndalese dhe të njëjtat blihen e shiten pa asnjë problem edhe pse kjo është e kundërligjshme.

Fakti se për këtë pronë pra ‚Medicus‘, është lejuar shitblerja, e pranon edhe koordinatori kombëtar për luftimin e krimit ekonomik Shqipdon Fazliu. Moszbatimin e ligjit në këtë pikë, ai e arsyeton se një pjesë e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk kanë qenë të njoftuar se ekziston agjencia për konfiskim të pasurisë. Sipas tij, kjo ka ndikuar që shumë objekte të mos regjistrohen.

Shqipdon Fazliu vox:
“kjo është një qështje shumë e vërtetë ,ne kemi kërkuar nga prokurori i rastit të inicohen hetimet për personat që kanë lejuar shitblejrjen e atij objekti …”

Pavarësisht raporteve statistikore të sekuestrimit të pasurive që kapin shifrat milionëshe, nga hulumtimi i RTK-së, del se shumë prej tyre në realitet nuk e kanë statusin e pasurive të sekuestruara, pasi me to janë bërë shumë shitblerje dhe janë ndërruar pronarët. Krejt kjo ka ndodhur derisa shteti nuk ka arritur ta menaxhojë pronën e sekuestruar.

Objekti i ish-Klinikës ‚Medicus‘, është një prej tyre. Ne vitin 2014, kjo ndërtesë dhe pronë figuron në listën e aseteve të sekuestruara që burojnë nga krimi i organizuar. Por asnjëherë kjo pronë nuk është administruar nga Agjencia për Konfiskim të Pasurisë. Këtë e pohon edhe drejtori i kësaj agjencie, Rrahim Rama.

“Eulexi nuk e ka sjellë, ne kemi bashkëpunimme ta po këtë objekt asnjëherë se kanë regjistruar te ne …”, thotë Rama.

RTK ka provuar të kontaktojë me pronarin e fundit të objektit nga katër sa janë ndërruar që nga koha e sekuestrimit të patundshmërisë, ku ishte ish-klinika ‚Mediucus‘, ku ushtron veprimtarinë Fidaim Ymeri, por ai nuk ka pranuar të flasë para kamerave. Ndërkohë, përmes telefonit Ymeri tha se këtë objekt e ka blerë para shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë në rastin Medicus, që i bie në vitin 2013. Por RTK merr vesh që licenca për këtë objekt është marrë në muajin mars të vitit 2013, ndërkohë që sekuestrimi i këtij objekti rezulton të jetë bërë shumë më herët.

Lidhur me këtë RTK ka pyetur edhe zyrtarët e EULEX-it, por këta të fundit kanë preferuar të mos flasin për këtë çështje duke thënë se presin aktgjykimin përfundimtar për të parë hapat e mëtutjeshëm.

Aktivitetet dhe lufta kundër pasurive të paligjshme shihet me skepticizëm nga përfaqësuesit e shoqërisë civile, të cilët e mbikëqyrin punën e sistemit të drejtësisë. Genc Nimoni nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se institucionet e drejtësisë deri në vitin 2014 kanë dështuar pothuajse në tërësi në sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të paligjshme.

Luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar i shpallur si prioritet i të gjitha institucioneve të drejtësisë, sipas Raportit të Progresit për Kosovën në vitin 2014, gjithsesi duhet të përcillet me sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të paligjshme, fushë kjo në të cilën sipas BE-së, Kosova ka ngecur vazhdimisht.

Lexo me shume nga kjo kategori…