Prej çlirimit e deri tash asnjë autoritet vendës apo ndërkombëtar nuk ia ka njohur legalitetin kishës ortodokse serbe, e cila është ndërtuar në hapësirën e Universitetit të Prishtinës gjatë kohës sa Kosova ishte nën okupim. Kisha “Krishti i Shpëtimit” ishte ndërtuar me lejen e administratës së “Kasapit të Ballkanit”, Slobodan Milosheviq.
Leja ishte dhënë më 15 shkurt të vitit 1999 nga ai që quhej Sekretariat për urbanizëm, ndërtimtari dhe mbrojtje të mjedisit jetësor i Kuvendit të Prishtinës, e që udhëhiqej nga masat e dhunshme që Serbia i kishte vendosur në Kosovë menjëherë pasi ia kishte suprimuar autonominë, shkruan “Koha Ditore”.
Bashkë me këtë ishte dhënë edhe një ngastër me sipërfaqe prej 4.27 hektarësh në qendër të Prishtinës, e që aktualisht është e regjistruar sipas certifikatës mbi të drejtat e pronës së paluajtshme numër 19-1289 në emër të Kishës Ortodokse Serbe “Sveti Nikolla” Prishtinë. Ndonëse ndërtimi i vrazhdë i kishës kishte përfunduar para lufte, pas çlirimit nuk është bërë ndonjë punë në të. /reporteri.net