Reformat fiskale, të cilat pritet të miratohen së shpejti nga Kuvendi i Kosovës, sipas disa analizave të bëra për përfaqësues të organizatave që merren me çështje ekonomike, nuk do të kenë efekte pozitive për qytetarin e Kosovës dhe bizneset.
Një efekt pozitiv nga këto reforma ekonomike pritet të ketë në buxhetin e shtetit të Kosovës.
Në një analize të bërë nga Instituti për Hulumtime të Avancuar, “Efektet Ekonomike dhe Buxhetore të Reformave Fiskale 2015″, thuhet se ndryshimet që do t’i pësojë Tatimi mbi Vlerën e Shtuar pritet të sjellë rritje të çmimeve në shportën e konsumatorit.
Hulumtuesi i kësaj analize nga Instituti GAP, Berat Thaçi, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se të gjitha këto reforma fiskale po bëhen për të rritur të hyrat në nivel vendi, duke dëmtuar kështu qytetarët.
“Kur jemi te këto ndryshime fiskale, ndryshimet më të mëdha do të ndodhin te TVSH-ja. Vlen të përmendet se për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë TVSH-ja do të përshkallëzohet dhe çka do të ndodhë, për shumicën e produkteve TVSH-ja do të ngrihet nga 16 në 18 për qind. Këtu kemi parë se kjo rritje do të sjellë ngritje të kostos së jetës së qytetarit dhe çmimet në përgjithësi do të rriten për 1 për qind”, thotë Thaçi.
Në këtë analizë të Institutit GAP, theksohet se e buka, si produkt që përbën rreth 2.75 për qind të shportës së konsumatorit, pritet të lirohet për 2 cent, disa produkte do të lirohen deri në 17 cent, ndërsa energjia do të lirohet për 0.5 cent kilovat orë.
Por, në anën tjetër, thuhet në këtë analizë, mishi si produkt i rëndësishëm ushqimor pritet të shtrenjtohet në mesatare për 9 cent për kg.
Produktet tjera ushqimore, të cilat priten të shtrenjtohen janë patatet, domatet, fasulet, kafja, çaji dhe sheqeri.
Derisa, derivatet e naftës, të cilat përbëjnë rreth 3 për qind të shportës së konsumatorit (madje më shumë se buka) do të rriten për rreth 2 cent litri.
Berat Thaçi, hulumtues i lartë në Institutin GAP, thotë se është shumë i vogël numri i produkteve që do të lirohen, ndërkohë që është i madh numri i produkteve që do të shtrenjtohen.
Për këtë ai thotë se kanë kërkuar ndryshim të këtij ligji.
“Ndryshim tjetër që kemi kërkuar nga ky ligj është që tatimi i ulur në produktet 8 për qind, të ulet në 5 për qind dhe të zgjerohet lista e produkteve që përfitojnë nga reduktimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar”, sqaron Thaçi.
Qeveria e Kosovës ka dërguar në Kuvend një ligj, i cili parasheh reforma fiskale, në veçanti reforma në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Ky ligj është thënë se do të hyjë në fuqi në korrik të këtij viti, por që ende nuk është miratuar nga Kuvendi i Kosovës.
Autoritetet në Kosovë kanë deklaruar se këto reforma fiskale do të ndihmojnë qytetarët dhe bizneseve, në përgjithësi, do t’ua lehtësojnë zhvillimin.
Për reformat fiskale, të cilat pritet të ndryshojnë me miratimin e ligjit kanë dhënë vërejtje edhe përfaqësues të investitorëve evropianë.
Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë edhe drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropian, Shpend Balija, kishte theksuar se një rritje e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar prej 16 për qind në 18 për qind dhe një zbritje e TVSH-së për disa produkte bazë në 8 për qind, nuk krijon kushte të favorshme për bizneset.
“Politikat fiskale duhet të jenë stimuluese në kuptimin që ta nxisin prodhimin, ta nxisin zhvillimin e këtyre kompanive dhe ato pastaj do të paguajnë tatim në të ardhurat e tyre, por mos t’i tatojmë fillimisht, kur ato kanë kosto të mëdha të investimit”, shton ai.
Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, është tatim që i ngarkohet konsumatorit në mallra dhe shërbime. / RTKLive