Edhe sot ka vazhduar pyetja se kush do t’i prijë delegacionit të Kosovës në OKB

Edhe sot ka vazhduar pyetja se kush do t’i prijë delegacionit të Kosovës në OKB
Ligjërisht, këtë duhet ta bëjë Presidentja e vendit.

Për RTK-në, këshilltari për media I Presidentes Jahjaga, Arbër Vllahiu, edhe një herë sot e ka sqaruar këtë çështje.

“Duke qenë në rolin e saj kushtetues, bartëse e politikës së jashtme, Presidentja Jahjaga, në bashkërendim me institucionet e vendit do të udhëheq delegacionin e Kosovës gjatë javës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së”, ka thënë Vllahiu në përgjigjen dërguar RTK-së.

Të njëjtën e thotë edhe profesori universitar, Afrim Hoti. Ai thotë se në bazë të Kushtetutës, Presidentja është bartëse e politikës së jashtme. Në rast se ndodhë e kundërta, Hoti thotë se kjo mund të bëhet vetëm në bazë të politikave ditore dhe siç shprehet ai “shtyrjes me bërryla se kush do të realizojë një foto me liderët botërorë”.

“Mendoj se në kuptimin juridik cdo gjë është e qartë. Bartëse e politikës së jashtme është Presidentja dhe ky autoritet duhet të udhëheq me situatën. Në kuptimin e rrjedhave faktive mendoj se është cështje e politikës ditore për t’u shtyer me bërryla për t’i arritur privilegjet që meritojnë”, ka thënë ai.