Jahjaga:FAK të jetë pjesë e Partneritetit për Paqe të NATO-s

Presidentja e Republikës së Kosovës,Atifete Jahjaga,priti sot në takim sekretarin e forcave detare të SHBA-së,Ray Mabus,i cili shoqërohej edhe nga ambasadorja e SHBA-së në Kosovë,Tracey Ann Jacobson.

Presidentja Jahjaga e vlerësoi ndihmën e vazhdueshme të SHBA-së për Kosovën, posaçërisht në ndërtimin e paqes, të stabilitetit dhe përparimit për të gjithë qytetarët e saj. Ajo tha se Kosova sot është e ndërtuar mbi parimin qytetar, një shtet gjithëpërfshirës me të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët pa dallim.
Presidentja Jahjaga tha se Kosova po bën përpjekje për të vendosur sundimin e ligjit dhe të rendit në gjithë territorin e saj, duke u ndërtuar si një shtet i së drejtës, me luftimin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar dhe me përpjekje të shtuara në rimëkëmbjen e ekonomisë së saj.
Presidentja Jahjaga tha se Kosova ka nisur procese të rëndësishme, përfshirë atë të krijimit të Gjykatës Speciale, për të cilën duhet të vendosë Kuvendi dhe njëkohësisht është e angazhuar edhe në dialogun me Republikën e Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve dhe lehtësimin e jetës së qytetarëve nga të dyja anët e kufirit.
Ajo tha se perspektiva evropiane e Kosovës, sikur edhe e gjithë rajonit të Ballkanit, duhet të jetë e qartë dhe e plotë dhe theksoi përkushtimin e institucioneve dhe të shoqërisë së Kosovës në rrugën evropiane.
Presidentja Jahjaga theksoi se as Kosova nuk është kursyer nga sfidat e shumta globale posaçërisht në fushën e sigurisë, dhe nga kërcënimet ekstremiste dhe radikale, por ka bërë hapa të rëndësishëm në parandalimin e tyre.
Ajo tha se prania amerikane në Kosovë dhe në veçanti përmes forcave ushtarake në kuadër të KFOR-it, kanë ndihmuar në stabilitetin dhe vendosjen e paqes jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon në përgjithësi. Presidentja Jahjaga tha se vazhdimi i pranisë ushtarake amerikane dhe kampit ushtarak Bondsteel është e një rëndësie të posaçme jo vetëm për Kosovën.
Presidentja Jahjaga e njoftoi sekretarin Mabus edhe për punën e vazhdueshme në ndërtimin e kapaciteteve të sigurisë në vend në partneritet me faktorin ndërkombëtar dhe theksoi se me përmbylljen e procesit të rishqyrtimit të sektorit të sigurisë në Kosovë është rekomanduar transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës, një force mbrojtëse të armatosur lehtë që do të reflektojë përbërjen etnike të Kosovës.
Presidentja Jahjaga tha se Forca e Armatosur e Kosovës duhet të jetë pjesë e Partneritetit për Paqe të NATO-s për të siguruar zhvillimin e mëtejmë të saj dhe për të marrë detyrat në fushën e sigurisë në periudhat e zvogëlimit të pranisë së KFOR-it në Kosovë. / RTKLive

Lexo me shume nga kjo kategori…