Ëndrra e madhe e gjithë shqiptarëve është realizuar, pasi Kombëtarja shqiptare ka siguruar kualifikimin për në Kampionatin Evropian ‘Francë 2016’, pas fitores së thellë 3-0 në udhëtim te Armeni

Kombëtarja shqiptare e ka nisur në mënyrë fantastike ndeshjen e fundit eliminatore për Kampionatin Evropian ‘Francë 2016’.

Pasi fillimisht rrezikuan vendasit nëpërmjet një goditje dënimi, radha ishte që Shqipëria të dalë përpara dhe t’I tregojë dhëmbët.

Pas një aksioni të bukur Basha goditi fort dhe portieri vendas priti, ndërsa në tentim për ta larguar goditjen e Gashit, mbrojtësi Hovhannisyan dërgoi topin në rrjetë në minutën e nentë.

Goli i dytë erdhi pas një ndërprerje, kur Ledian Memushaj harkoi bukur në zonë, ndërsa mbrojtësi Berat Xhimshiti realizoi me thembër për 2-0.

Në pjesën e dytë armenët ishin ata që rrezikuan më shumë me disa gjuajtje, por portieri Etrit Berisha ishte në një ditë fantastike.

Shqipëria në pjesën e dytë rrezikoi me Roshin dhe Gashin, por pa arritur të shënojë.

Golin vendimtar në këtë sfidë për Kuqezinjtë, e shënoi i inkuadruari në lojë nga banka e rezervistëve, Armando Sadiku, pas një asistime nga Odise Roshi.

Pas kësaj fitoreje, Shqipëria edhe zyrtarisht është pjesë e Kampionatit Evropian ‘Franca 2016’, pasi këtë gjë e arriti duke shënuar katër fitore, duke barazuar në dy ndeshje dhe duke i humbur dy të tjera.

Shqipëria kualifikohet si skuadra e dytë nga Grupi I me 14 pikë të tubuara, ndërsa si e para kualifikohet Portugalia me 21 pikë, kurse në ‘play-off’, shkon Danimarka. /Telegrafi/