Deputetët votojnë ndryshimet në buxhetin e Kosovës

Në vazhdimin e seancës së nisur të enjten, deputetët i dhanë mbështetje Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e buxhetit për vitin 2015, për të cilin ishte debatuar gjatë në seancën e djeshme.

 Po ashtu, u miratuan edhe disa pika të tjera. Me votimin e rekomandimeve të komisionit për të drejtat e njeriut lidhur me peticionin kundër shtrenjtimit të çmimit të energjisë elektrike, nuk u pajtua opozita, andaj kërkoi që të anulohet. Të revoltuar me moslejimin e diskutimeve për këtë çështje, opozita e braktisi seancën.

Deputetët e opozitës e kanë lëshuar seancën e Kuvendit të Kosovës, të revoltuar me votimin e rekomandimeve të Komisionit për të drejtat e njeriut, lidhur me peticionin kundër shtrenjtimit të çmimit të energjisë elektrike dhe moslejimit të diskutimeve nga ana e kryesuesit të seancës Xhavit Haliti. Opozitarët e shfrytëzuan kohën e diskutimeve për Projektligjin për faljen e borxheve, për të shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me votimin e këtyre rekomandimeve. Glauk Konjufca, shef i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes tha kërkoi të anulohet ky votim, ngase e konsideroi shkelje të ligjit.
“Mund të them lirisht se e keni shkelur ligjin dhe kjo nuk është mirë për Kuvendin e Kosovës. Unë iu drejtohem atyre 35 mijë qytetarëve që ajo që sapo ndodhi në Kuvendin e Kosovës është vërtetë skandaloze. Si ka të drejtë komisioni përkatës t’i ndryshojë dhe shtrembërojë kërkesat e 35 mijë qytetarëve që kanë ardhur përmes peticionit të nënshkruar dhe këtu në Kuvend të votohet krejt diçka tjetër”, tha Konjufca.

Edhe shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj Bujupi, pati të njëjtin shqetësim por ajo nuk u lejua të flas nga kryesuesi i seancës, Xhavit Haliti.

“Në qoftë se ju jeni të pakënaqur, i keni firmat, thirrni prapë debat dhe mos e keqpërdorni foltoren e Kuvendit për interesa as elektorale, as protagoniste. S’ka nevojë për protagonizëm për problemet që kanë qytetarët dhe për të cilat probleme jemi shqetësuar, besoj të gjithë”, tha Haliti.

Në këtë situatë, opozita e braktisi seancën, ndërsa Kuvendi nuk pati kuorum për të votuar për Projektligjin për faljen e borxheve publike, të cilit paraprakisht PDK e LDK i dhanë mbështetje në parim, ndërsa opozita bëri vërejtje të shumta.

Ndërkohë, në fillim të seancës, me 61 vota për dhe 7 kundër, Kuvendi miratoi Projektligjin për rishikimin e Buxhetit, I cili parasheh të ketë shkurtime afër 49 milionë euro tek kategoritë paga dhe mëditje, udhëtimet, mallra dhe shërbime. Kuvendi miratoi edhe rekomandimin e Komisionit për të drejtat e njeriut, lidhur me peticionin e qytetarëve të Rahovecit për ndriçimin e fatit të Ukshin Hotit.

Ligjvënësit po ashtu shqyrtuan raportin e Bankës Qendrore të Kosovës për vitin 2014, dhe raportin e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2014. / RTKLive

Lexo me shume nga kjo kategori…